Nga bota e modelimit në atë të biznesit

22 Mars 2017

Intervistë me Agnesa Vuthaj 

U kurorëzua si mbretëreshë e bukurisë në vitin 2003, në një kohë dhe në një vend ku gjithçka ishte sfiduese dhe e vështirë e aq më pak suksesi në botën e së bukurës. Edhe pse e re në moshë dhe aspak me përvojë në fushën e modës dhe bukurisë, për Agnesa Vuthajn duket se kurora e Miss Kosovës ishte si një shkopi magjik i saj. E karakterizuar si një vajzë me bukuri të pashuar, e ëmbël në bisedë, me ide dhe vizion të qartë për jetën, këmbëngulëse dhe mjaft e suksesshme në arritjen e qëllimeve të saja, Agnesa Vuthaj rrëfen rrugëtimin nga misi në biznesmene. Modelimi, biznesi nuk janë të vetmet fusha për të cilat angazhohet Agnesa. Ajo ka studiuar në Fakultetin e Komunikimit Masiv në Universitetin AAB. Një projekt për emision i realizuar nga vetë ajo i takon të ardhmes jo shumë të largët.

Kaluan 10 vite që nga shpallja juaj Miss Kosova, si i përshkruani me tre fjale këto 10 vite?
Janë 10 vite aq të përmbushura që mund të shkruheshin faqe të tëra për të treguar ngjarjet e shumta qe kanë ndodhur.
Tri fjalët më përfaqësuese për të përshkruar rrugëtimin tim do të ishin: sfidë, realizim, argëtim.

Përveç përparësive, a mendoni se është edhe e vështirë të mbash titullin e Missit në Kosovë?
Jam kurorëzuar Miss Kosova në moshë shumë të re, ndoshta akoma pa e kuptuar se çfarë përparësish apo vështirësish mund të më sjell ky titull. Unë jam rritur, jam ngritur në karrierë, kam realizuar planet që synoja pa u koncentruar në titullin e Missit.
Përndryshe, kur një titull fitohet me meritë, mbahet me krenari.

Kudo në botë e edhe në Kosovë për femrat e bukura dhe të suksesshme ka paragjykime nga më të ndryshmet, nganjëherë edhe të këqija, si jeni gjendur ju përball tyre?
Jam mësuar t’i injoroj dhe të vazhdoj rrugëtimin tim në mënyrën që unë kam zgjedhur dhe që mendoj që për mua është zgjedhja e duhur dhe më e mira.

Karriera juaj është e ndërtuar mbi të bukurën dhe atë pikërisht në qytetin e Pejës, i cili gjithashtu konsiderohet si ndër qytetet më të bukura të Kosovës, sa shpesh e vizitoni atë dhe çfarë emocioni iu sjell ky qytet?
Peja, qytet i bukur, ku unë kam filluar karrierën time të bukurisë, më ngjall emocion dhe kujtime sa herë që e vizitoj dhe sa herë që flas për Pejën.
E vizitoj rrallë, sepse jam shumë e angazhuar dhe jo gjithmonë kam kohë ta vizitoj aq shpesh sa do të dëshiroja, por e konsideroj si një qytet të veçantë për mua dhe karrierën time.

Ju keni provuar veten në shumë fusha, në modelizëm organizim spektaklesh, prezantim televiziv, aktrim, ndërsa së fundi i keni hyrë edhe botës së biznesit me hapjen e dyqanit “Agnesa Vuthaj Fashion”, si lindi kjo ide?
“Agnesa Vuthaj Fashion” ka ardhur si vazhdim i përvojave të mia të mëhershme në fushën e modës dhe të bukurisë në Kosovë dhe në botë. Gjatë sfilatave të shumta, seteve fotografike, reklamave e prezantimeve të shumta në Dubai, Nju Jork, Milano etj. kam pasur rastin të vishem me veshje të bukura e të veçanta, të cilat më kanë bërë të ndjehem shumë rehat dhe akoma më e bukur nga kualiteti i lartë që i ka karakterizuar ato veshje. Andaj dëshira ime ishte të sjell në Kosovë, veshje të ngjashme që të kem mundësi të vishem bukur pa udhëtuar jashtë vendit, së pari vetë, e pastaj për të gjitha vajzat dhe gratë që duan të vishen me veshje të bukura dhe unike, të dizajnuara dhe prodhuar me kualitet të lartë bazuar në kërkesat e tregut evropian dhe botëror.

A mund të shohim së shpejti linjën e veshjeve me etiketën “Agnesa Vuthaj” apo është thjeshtë biznes i furnizuar me gardërobë të bukur nga jashtë?
Në butikun tim unë kam një koleksion me fustane ekskluzive që mbajnë markën “Agnesa Vuthaj”.
Janë fustane unike, punë dore dhe vetëm për një fustan është punuar deri në 52 ditë për të arritur bukurinë, kualitetin, elegancën dhe ngjyrën e veçantë. Fustanet janë të punuara me gurë dhe rruaza të çmuara.

Hyrja në botën e biznesit është një paralajmërim i juaji se do filloni të largoheni nga bota e spektakleve apo keni ndërmend të vazhdoni edhe me organizimin e spektakleve përmes kompanisë tuaj “Agnesa Vuthaj Assosiacion”?
“Agnesa Vuthaj Association” do të vazhdojë me organizimet e spektaklit Miss Kosova dhe përfaqësimin e Kosovës në Miss Earth dhe në Miss Universe. Kam punuar shumë për ta ngritur këtë kompani dhe Agnesa Vuthaj Association tashmë është një emër suksesi në spektaklet ndërkombëtare ku përfaqësohet Kosova tashmë disa vite.

Duke qenë se prej kohësh jetoni në Prishtinë dhe jeni shumë e angazhuar, çfarë janë raportet me familjen tuaj dhe shoqërinë?
Me familjen time kam raporte shumë të mira, edhe pse nuk jetojmë bashkë kontaktojmë dhe shumë shpesh shihemi,sidomos tani me teknologjinë e kohës së fundit jemi në kontakt të vazhdueshëm.
Shoqëria është shumë e rëndësishme për mua, shoqet e mija i japin kuptimin më të bukur kohës sime të lirë që e kalojmë së bashku.

Ju keni studiuar në Universitetin AAB, për gazetari, çfarë kujtimesh mund të ndani nga ajo kohë?
Universiteti AAB është një institucion që ka një rëndësi të veçantë në profesionin tim, kam marrë shumë mësime, jo vetëm të profesionit por edhe të jetës.
Kam shumë kujtime të bukura që i kujtoj gjithmonë.

A keni në plan të punoni në këtë fushë, nëse po, çfarë? Emision të cilin do ta drejtonit vetë apo preferoni rolin e producentit?
Fakulteti i Komunikimit Masiv më ka ndihmuar shumë në punën që bëjë. Rolin e producentit e bëjë te Miss Kosova dhe më pëlqen, ndërsa me prezantim e kam provuar veten disa herë në produksione të të tjerëve, por një emision i prodhuar dhe i drejtuar nga unë është ide që mund të realizohet në një të ardhme pak më të largët.

Dekada e parë e shpalljes Miss Kosova iu gjeti mjaft të suksesshme, por ku do ta gjejmë Agnesën në 10 vjetshin e ardhshëm?
Shpresoj akoma më të suksesshme, bashkë me familje dhe më shumë miq.
Intervistoi: Elvana Shala

Share: