Rritet numri i përdoruesve të drogës

22 Mars 2017
Intervistë me Fitore Cakollin nga OJQ “Labyrinth”

Përdorimi i drogës dhe lëndëve të tjera narkotike vazhdon të jetë një problem shqetësues për të rinjtë në Kosovë. Grupmosha më e prekur nga droga është 15 deri në 40 vjeç. Numri i përdoruesve të marihuanes dhe kokainës është në rritje, ndërsa statistikat zyrtare tregojnë se ka rënie në përdorimin e heroinës. Droga të reja janë futur në tregun kosovar. Në rritje është numri i atyre që përfundojnë me fatalitet.  Njëra nga qendrat që merret me trajtimin e përdoruesve të drogës që prej vitit 2008 është Organizata Jo Qeveritare “Labyrinth” .

Përdorimi i drogës apo lëndëve të tjera narkotike është një dukuri mjaft e përhapur në Kosovë. A mund të na thoni cilat grupmosha të shoqërisë kosovare konsumojnë më shumë drogë e të cilat pastaj kërkojnë ndihmë në qendrën tuaj?
Droga nuk është një fenomen i ri, mirëpo kohëve të fundit ka filluar të përdoret publikisht. Qendra jonë punon që prej vitit 2008. Nga ajo kohë ne mbajmë në mënyrë konfidenciale informacionet personale të secilit pacient. Sa i përket grupmoshave, sipas statistikave tona, rezulton se në qendrën tonë pacientet janë të moshës 15 deri në 40 vjeç, duke mos përjashtuar edhe raste të tjera me mosha të tjera.

Bazuar në statistikat e qendrës “Labyrinth”, a është shtuar apo është zvogëluar numri i përdoruesve të drogës nga viti 2008 deri në vitin 2014?
Dëshira e të gjithëve do të ishte që numri i përdoruesve të ulët. Por realiteti tregon të kundërtën. Statistikat tona tregojnë se kemi një shtim të numrit të përdoruesve të marihuanes. Nga ana tjetër eshte zvogëluar numri i përdoruesve të heroinës. Sa i përket përdoruesve të kokainës mund të them që numri është duke shkuar drejt rritjes. Ka edhe lëndë të tjera narkotike të cilat përdoren e të cilat tashmë konsiderohen droga të reja në vendin tonë, por përdorimi i tyre po rritet çdo ditë e më shumë.

Sipas jush, cilat janë shkaqet që e shtyjnë një person të fillojë përdorimin e lëndëve narkotike?
Duke qenë se ne ofrojmë edhe seancë ose këshillim personal për pacientët, psikologët tanë kanë vënë re se zakonisht përdoruesit e drogës janë ata persona të caktuar që vuajnë nga depresioni, ndonjë lloj dëshpërimi, probleme familjare, disfata ose-ose edhe rrethi i keq shoqëror. Nga ana tjetër përdorimi i marihuanës, sidomos nga të rinjtë, në të shumtën e rasteve bëhet për efekt disponimi dhe qejfi, sa për të qenë më “in” siç thuhet, ose sa për të qenë më në “trend” .

Pasi e përmendet se ka lloje të ndryshme të lëndëve të narkotikëve, a mund të na thoni cilat raste konsiderohen më vështir të shërueshme në qendrën tuaj?
Asnjë rast që vjen në qendrën tonë nuk mund të konsiderohet si rast i pranueshëm, sepse gjithmonë bëhet fjalë për shëndetin e njeriut. Mirëpo, stafi jonë duke filluar nga punëtorët socialë, të cilët dalin në terren, të cilët iu ofrojnë ndihmën e parë, hasin në probleme nga më të ndryshmet. Unë, si psikologe e qendrës, kam hasur shumë shpesh në problem me pacientë të cilët përdorin metadon, diazepam, heroinë ose përzierje të ndryshme të lëndëve narkotike. OJQ “Labyrinth” ka një regjistër dhe mban të dhënat e të gjitha rasteve të vdekjes në mesin e klientëve të regjistruar. Sipas informative në dispozicion në qendrën tonë, dy përdorues të drogave kanë vdekur në vitin 2004, tre në vitin 2006, një në vitin 2007, nga pesë në vitin 2008 dhe 2009, 15 në vitin 2010 dhe 16 në vitin 2011. Supozohet se të gjitha këto raste ishin nxitur ose shkaktuar nga droga.

Qendra Mediko-Psikoterapike “Labyrinth” eshte themeluar në vitin 2002 dhe merret me parandalimin e abuzimit të drogave, trajtimin e sëmundjes së varësisë, si dhe parandalimin e infeksioneve që lidhen me injektimin e drogave, siç janë HIV-i, Hepatiti B dhe Hepatiti C. Ne kuadër te OJQ-s “Labyrinth” funksionojnë tri qendra multidisciplinare. Qendra në Prishtinë me njësitë në Gjilan dhe Prizren.

Cili program përdoret për trajtimin e pacienteve në qendrën tuaj?
Në qendrën tonë kemi programin “Harm Redaction”, i cili zvogëlon dëmin, ku ne shpërndajmë shiringa dhe ujë të destikuar, palloma me alkool që bëjnë që numri i të infektuarve me HIV, Hepatit B dhe Hepatit C të jetë sa më i vogël. Po ashtu qendra jonë ofron programin rehabilitues, programi i trajtimit me metadon. Ky program është shumë efikas për të interesuarit që duan të largohen nga heroina apo substancat e tjera narkotike.

Intervistoi: Fjolla Bislimi

Share: