Në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB është shfaqur dokumentari “Plagët e lirisë” për studentët e Fakultetit të Psikologjisë. Ky dokumentar trajton njërën prej temave më të ndjeshme të shoqërisë, atë të invalidëve të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, të cilët kanë rënë në zona të minuara.
Dekani i Fakultetit të Psikologjisë të Kolegjit AAB, prof. Naim Telaku, tha se shfaqja e këtij dokumentari tregon pasojat psikologjike që kanë sjellur te viktimat përvojat e tilla dhe sfidat që kanë kjo kategori e shoqërisë, me përkrahjen që duhet dhënë ndaj tyre.
Përveç dokumentarit u organizua edhe një panel me Xhevdet Smajli, ish ushtar i UÇK’së në sektorin e deminimit, prof.ass.dr. Mimoza Shahini dhe Fatmir Grejqevci nga Tv Dielli (Radio Kosova e Lirë). Xhevdet Smajli ish ushtar i UÇK’së, që kishte humbur shikimin pasi ra në mina të vendosura nga ushtarët serbë tha se ishte një përvojë tejet e hidhur, por sërish kishte gjetur vullnetin për t’u angazhuar e integruar në shoqëri, pavarësisht barrierave që kishte hasur vazhdimisht.
“Dihet që dikush duhet më i dhënë sytë për t’i fituar gjithë të tjerët”, shtoi Smajli ndër të tjera, duke treguar efektin psikologjik dhe traumat që shkaktojnë këto ngjarje te viktimat.