Fakulteti Ekonomik dhe ai i Administarës Publike në Kolegjin AAB organizuan ligjëratë të hapur në temën “Negocimi dhe menaxhimi i konflikteve në botën e globalizuar”, ku në cilësinë e ligjëruesit mysafir, kontribuoi me përvojën e tij, Dr.Valon Murtezaj, ligjërues në shkollën prestigjioze “IESEG” School of Management në Paris të Francës.
Në këtë ligjëratë u diskutuan tema të rëndësishme në kuadër të fushës së negocimit dhe menaxhimit të konflikteve, me të cilat përballet njerëzimi sot.
Profesori Murtezaj ndër të tjera tha se konfliktet janë fakte të jetës, ndërsa arsyet e negocimit në botë janë për interesat e ndryshme dhe se gjenerimi i opsioneve në negocim, është paracaktues i suksesit në secilin proces negociator. Një nga këshillat e përmendura në ligjëratë, lidhur me konfliktet dhe proceset e negocimit, ishte se injorimi i historikut të konflikteve bën që proceset negociatore të dështojnë.
Trendet në botën e globalizuar në të cilën jetojmë, konfliktet dhe krizat ndërkombëtare, mënyrat si adresohen dhe zgjidhen ato dhe aftësitë e duhura për proceset negociatore për të adresuar këto situata, ishin disa nga aspektet që ngjallen interes të jashtëzakonshëm dhe diskutim konstruktiv nga studentët dhe profesorët e pranishëm në ligjëratë.
Murtezaj, u shpreh se do të mbajë përshtypjet më të mira për kontributin konstruktiv të studentëve dhe të stafit të AAB, gjatë bashkëbisedimit për tema të rëndësishme në arenën e negocimit dhe menaxhimit të konflikteve, dhe kapacitetit për të ofruar opsione të dobishme ndaj sfidave me të cilat përballet shoqëria njerëzore sot.