Rrjetit më të madh spitalor në Gjermani “SANA Kliniken AG”, së shpejti do t’ u bashkohen edhe 60 infermierë të rinj, të cilët janë në përfundim të studimeve në Kolegjin AAB. Kjo u bë zyrtare sot me nënshkrimin e kontratave të punës në mes studentëve të AAB-së dhe punëdhënësve gjermanë.
Prodekanja e Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin AAB, Shqipe Tahiri u shpreh e lumtur që studentët në mars të vitit 2020 do të udhëtojnë drejt Gjermanisë për të jetësuar ëndrrën e tyre e të qenit infermierë. Ajo gjithashtu shtoi se Kolegji AAB përveç nënshkrimit të kontratave u ka mundësuar studentëve të ndjekin falas edhe Programin për Karrierë dhe Punësim, përmes së cilit ofrohen kurse të gjuhës dhe trajnime profesionale falas.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i klinikës gjermane ”SANA Kliniken AG”, Michael Rabus mes tjerash tha se ka parë entuziazëm, punë të palodhshme dhe përkushtim të denjë tek studentët që në të ardhmen do ushtrojnë njërin ndër profesionet më humane. Ai falënderoi Kolegjin AAB dhe Fakultetin e Infermierisë për bashkëpunimin korrekt gjatë gjithë kësaj periudhe.
Ndërkohë, Programi i Karrierës dhe Punësimit i Kolegjit AAB i themeluar si rezultat i marrëveshjeve me kompani gjermane do të vazhdojë edhe më tej për të rekrutuar studentë të rinj të cilët janë të kërkuar në tregun gjerman të punës.