Studentët e Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin AAB, tashmë janë targetuar edhe nga njëra nga kompanitë më të mëdha shëndetësore të Gjermanisë “Agaplesion AG”.
Përfaqësuesit e kësaj kompanie, nën ombrellën e së cilës janë rreth 100 institucione shëndetësore, takuan stafin dhe studentët e Infermierisë, të cilët i njoftuan për mundësitë e përfshirjes së tyre në sistemin shëndetësor gjerman të punës.
Në këtë takim morën pjesë drejtuesit më të lartë të kompanisë, si: Ingrid Mauritz, drejtore e Infermierisë në Agaplesion Frankfurter Diakonie Kliniken; Anja Maria Bopp, Drejtore e Infermierisë në Agaplesion Elisabethenstift Darmstadt; Katalin Bordi, Drejtore e zhvillimit të personelit dhe menaxhimit të arsimit në Agaplesion, si dhe Nebehate Bajrami, infermiere në Darmstadt dhe Majlinda Kadriu, infermiere në Frankfurt.
Studentët morën informacione se çfarë ofron ky rrjet klinikash, ndërsa u tha se dy fushat më të mëdha të ofrimit të shërbimeve janë spitalet dhe objektet rezidenciale dhe të kujdesit. Ajo që të gjithë këto institucione kanë të përbashkët është qasja holistike ndaj qenies njerëzore, e cila ndërthur vlerat humane me kompetencat e larta profesionale.
AGAPLESION gjendet në 23 lokacione në tërë Gjermaninë dhe ka rreth 6.300 shtretër në dispozicion.
Studentët e interesuar për këtë kompani do të intervistohen sot dhe nesër.