Edicioni i sivjetmë i “Summer Workshop” në Kolegjin AAB, mbylli punimet me sukses

11 Korrik 2018

“Summer Workshop” i AAB-së i përmbylli punimet e suksesshme tre ditore me shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit.

Punëtoria u organizua nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike i Kolegjit AAB, me pjesëmarrje aktive të maturantëve nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Me këtë rast, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB, Jusuf Qarkaxhija, tha se ky workshop ishte tejet i suksesshëm dhe se pjesëmarrja e maturantëve nga pothuajse e gjithë Kosova ishte e impresive.

“Për ne ishte një ngjarje jashtëzakonisht efektive dhe e suksesshme. Kemi pasur një staf profesional, me përvojë për çdo modul që u zhvillua në këtë workshop. Po ashtu, edhe interesimi i maturantëve, ishte i jashtëzakonshëm. Workshope të tilla, të pasura edhe me module të reja, do të organizohen në Kolegjin AAB edhe në të ardhmen”, u shpreh dekani Qarkaxhija.

Po ashtu edhe koordinatorja e këtij workshopi, Valdete Daku, në fjalën e saj tha se në Kolegjin AAB ka pasur organizime të tilla të ndryshme edhe në të kaluarën, por sipas saj, ky i sivjetmi ishte një eksperiencë mbresëlënëse, para së gjithash për shkak të interesimit të madh të të rinjve.

Ajo përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre të shkëlqyeshëm në këtë punëtori, duke u dëshiruar që të jenë pjesë edhe në organizimet e tjera të Kolegjit AAB.

Në përmbylljen e “Summer Workshop”, të gjithë maturantët pjesëmarrës u ndanë tejet të kënaqur, si me stafin akademik, materialet mësimore dhe me kushtet të cilat iu ofruan pa pagesë nga Kolegji AAB gjatë këtij workshopi.

Maturanti Amar Beka, i cili ka përfunduar shkollën e mesme teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë, u shpreh i kënaqur me mësimet që ka marrë në këtë workshop treditor në Kolegjin AAB.

“Na është dhënë një eksperiencë e re, ku kemi mësuar njohuri të reja të shkencave kompjuterike, si në fushën rrjetave, mekatronikës, robotikës e të tjera. Në veçanti, më kanë lënë përshtypje përvojat e reja që kam fituar në fushën e programimit dhe të dizajnimit të aplikacioneve”, u shpreh Amari.

Edhe maturantja Erzë Ahmeti, nga gjimnazi “Xhevdet Doda”, tha se gjatë kësaj punëtorie tre ditore kanë marrë njohuri të pasur e të llojllojshme profesionale për shkencat kompjuterike në përgjithësi.

Ajo theksoi se mikpritja në Kolegjin AAB ka qenë e jashtëzakonshme; por edhe infrastruktura moderne, pajisjet teknologjike, laboratorë dhe objektet e këtij kolegji ishin vërtetë mbresëlënëse.

“Na kanë bërë që të ndihemi shumë mirë, të gjithë kanë qenë miqësor. Në të gjitha aktivitetet e këtij workshopi si dhe pas vizitave në sallat, teatrin, palestrën sportive, e në të gjitha departamentet, kam përjetuar ndjenjë të veçantë për mundësitë e zhvillimit tonë në të ardhmen. Kolegji AAB me ka pëlqyer shumë, sidomos sallat e pasura me mjetet më të avancuara teknologjike”, u shpreh nxënësja Erza.

Ngjashëm, edhe Qemajl Rudi, nga gjimnazi “Frank Bardhi” në Mitrovicë, tha se ka fituar një përvojë shumë të dobishme.

“Pos që kam mësuar shumë gjëra të reja për teknologjinë, kam takuar edhe shoqëri të re, si nga pjesëmarrësit por edhe nga stafi trajnues i kolegjit AAB”, tha Qemajli.

Ai shtoi se në Kolegjin AAB gjithçka ka qenë “perfekt, në asnjë vend nuk kam parë mangësi”.

Gjatë këtyre tri ditëve të punëtori, gjithsej janë zhvilluar gjashtë module, secila prej tyre kishin specifika të veçanta:
Moduli i parë: Modeli i printerit 3D. Në këtë modul, i cili ka përfshirë njohuritë bazike, konfigurimin dhe funksionalizimin e Printerit 3D, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që vet të dizajnojnë dhe të printojnë materiale dhe figura të ndryshme.

Moduli i dytë: Pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që të mësojnë konfigurimin e robotëve NAO, robotë këta që njihen si më të avancuarit në botë sa i përket veprimit.

Moduli i tretë: Në këtë modul, pjesëmarrësit mësuan si programohen lojërat kompjuterike, ku si produkt final, secili nga këta pjesëmarrës me sukses arriti të programojë një lojë kompjuterike.

Moduli i katërt: Puna me sensorë dhe Arduino. Në këtë modul, maturantët përfituan njohuritë bazike për këto pajisje shumë të popullarizuara teknologjike.

Moduli i pestë: Konfigurimi i pajisjeve të ndryshme teknologjike. Gjatë këtij moduli, pjesëmarrësit kishin mundësinë që vetë të praktikonin konfigurimin e pajisjeve të ndryshme të rrjetit.

Moduli i gjashtë: Ky modul ka përfshirë informacionet e nevojshme rreth sigurisë së të dhënave, me ç’rast u testuan aplikacione të ndryshme, si dhe u identifikuan dobësi të këtyre aplikacioneve.

Në kuadër të këtij workshopi, përveç punëtorive që i përmendëm më lartë, u mbajtën ligjërata të shumta nga ekspertë të fushave të ndryshme te teknologjisë, si dhe u zhvilluan edhe aktivitete të tjera sportive, kulturore dhe një vizitë studimore.

Duke e parë suksesin e kësaj punëtorie dhe duke e parë që të gjithë pjesëmarrësit u ndanë shumë të kënaqur, “Summer Workshop” do të shndërrohet në traditë në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB.

Share: