Edita Baruti, e diplomuar në AAB – pronare dhe menaxhere e suksesshme e kopshtit “FOLEA” në Mitrovicë

17 Dhjetor 2014

“Menjëherë pas diplomimit u punësova si edukatore në kopshtin ‘Peek-A-Books’ në Prishtinë, më pastaj në shkollën fillore’Nonda Bulka’ në Mitrovicë, në të cilën ushtrova detyrën e edukatores në ciklin parashkollor. Të dyja këto pozita padyshim që ishin eksperiencë dhe përvojë shumë e mirë për mua, që ta vazhdoja karrierën time më tutje. Dëshira që të jem sa më afër fëmijëve më shtyu ta hapi kopshtin ‘FOLEA’ në qytetin tim në Mitrovicë. Kopshti tashmë ka dy vjet që funksionon dhe vazhdon të ketë sukses”, thotë Edita Baruti për “AAB Alumni”.

Krahas arritjeve dhe përgatitjes profesionale për përkujdesin ndaj fëmijës të marra në Kolegjin AAB, Edita është rast shembullor për të treguar se si një e re, në saje të angazhimit të saj, jo vetëm ka arritur të vetëpunësohet por ka punësuar edhe gjashtë persona të tjerë në institucionin që e menaxhon ajo.

Në kopshtin “FOLEA” janë tri grupe të fëmijëve. Secili grup i ka nga dy edukatore, të cilat janë të kualifikuara dhe punojnë me fëmijë të moshave nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjeç.

“Ne në vazhdimësi japim maksimumin që të përgatisim qytetarë të denjë të shoqërisë me shëndet e sjellje shembullore”, shton Edita, e cila tashmë ka regjistruar edhe studimet master, po në Kolegjin AAB.

Znj. Baruti thotë se Kolegji AAB, studentëve të vet u ofron kushte dhe ambient me standarde evropiane dhe studime shumë cilësore.

Share: