Gjuhë të Huaja

Misioni i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja është t’i pajisë studentët me njohuri, aftësi dhe kompetenca të avancuara dhe të specializuara në gjuhë të huaja, në përputhje me tendencat bashkëkohore të karrierës dhe zhvillimeve të ardhshme profesionale. Fakulteti gjithashtu i përgatit studentët për studime doktorate në Gjuhësi, Letërsi dhe çdo disiplinë tjetër të ndërlidhur.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Kolegjin AAB ofron dy programe të gjuhëve të huaja: Bachelor dhe Master në gjuhë angleze, dhe Bachelor në gjuhën gjermane. Programet ofrojnë kurrikula që u përshtaten kërkesave dhe nevojave të shoqërisë së sotme. Njohja e gjuhëve të huaja dhe studimi i tyre në aspektin shkencor dhe profesional hap dyert për punësim si në Kosovë, ashtu edhe përtej kufijve të saj, duke u dhënë mundësi studentëve të kontribuojnë në institucione dhe kompani ndërkombëtare. Kjo mundësi rritet edhe më shumë për shkak të mobilitetit të lirë (pa viza) të popullatës dhe përshkallëzimit të kontakteve ndërkombëtare, në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Programet e ofruara në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja kanë orientim shkencor (BA dhe MA në gjuhën angleze) dhe profesional (BA në gjuhën gjermane), të gërshetuara me punë praktike të monitoruar. Profilet e gjuhës angleze dhe gjermane ofrohen përmes ecurisë filologjike.

Përmes kurseve të ofruara në këto dy drejtime, studentët zhvillojnë kompetenca të zgjidhjes së problemeve dhe shkathtësi të avancuara të komunikimit, të cilat janë të zbatueshme në një gamë të gjerë karrierash dhe sigurojnë perspektivë të shkëlqyer për punësim.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në AAB ofrohet në Kampusin e Prishtinës.