Programi Master në Shëndet Mendor bazohet në frymën e fundit të studimeve në psikologji, duke ofruar krahasueshmëri të lartë me programet evropiane, amerikane dhe rajonale. Mbështetet nga staf akademik i motivuar dhe i përgatitur për të përmbushur standardet evropiane të arsimit të lartë. Qëllimi i programit është të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve të shëndetit mendor përmes përgatitjes së profesionistëve të aftë për të punuar në qendra shëndetësore, spitale, njësi psikiatrike, qendra këshilluese, dhe në mjekësinë familjare e të përgjithshme. Programi synon të ndikojë përmes ndërhyrjeve psiko-sociale, projekteve vetëdijësuese dhe fuqizimit komunitar, si dhe të ndihmojë në organizimin e komunitetit të psikologëve klinikë dhe zhvillimin e kuadrit institucional përkatës. Mision i programit është pajisja e studentëve me njohuri të avancuara akademike dhe hulumtuese, duke i përgatitur ata të ushtrojnë profesionin e psikologut klinik në mënyrë profesionale, të jenë konkurrues për studime të mëtejme, të zhvillojnë kapacitete kërkimore dhe të ofrojnë shërbime terapeutike për individët në nevojë. Programi u përgjigjet nevojave të atyre që synojnë licencimin si psikolog klinik dhe/ose vijimin e studimeve doktorale. Përfituesit e këtij programi mund të angazhohen në institucione të shëndetit mendor, edukimit, organizata joqeveritare dhe struktura të tjera që ofrojnë shërbime psiko-sociale. Një komponent thelbësor i programit është edhe zhvillimi i shkathtësive hulumtuese përmes përfshirjes së studentëve në projekte studimore brenda fushës së psikologjisë klinike.
Me përfundimin me sukses të studimeve master në Shëndet Mendor, pritet që studentët të plotësojnë qëllimet kryesore të programit përmes rezultateve të pritura:
Rezultatet specifike të programit të studimit janë si në vijim:
Programi i Studimit MA në Shëndet Mendor është program i nivelit Master (MSc), përkatësisht i nivelit VII të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK-së).
Studimet në Programin MSc. Shëndet Mendor zgjasin 2 vite, 120 ECTS me gjithsej 4 semestra; 30 ECTS për semester.
Kjo lëndë synon të thellojë njohuritë mbi çrregullimet kryesore mendore, duke përfshirë karakteristikat kryesore të simptomatologjisë, shkaktarët, diagnostifikimin, faktorët mbajtës, përshpejtues dhe përcipitues. Lënda synon të aftësojë studentët në përdorimin e formave kryesore të trajtimit të çrregullimeve mendore, si dhe t’i inkurajojë ata të shqyrtojnë hulumtime në fushën e psikopatologjisë.
Kjo lëndë synon të pajisë studentët me aftësitë e vëzhgimit në kontekste të ndryshme dhe të avancojë njohuritë e tyre në integrimin e observimit në planin e intervenimit duke e përshtatur me nevojat e klientit. Lënda synon të njoftojë studentët me parimet themelore mbi vëzhgimin klinik të mirëfillt, t’i përgatis ata për zbatimin e vëzhgimit klinik në praktikën e shëndetit mendor.
Kjo lëndë synon të zhvillojë aftësitë e studentëve për ruajtjen e marrëdhënies terapeutike, duke i njoftuar me konceptet kyçe si aleanca punuese, transferenca, marrëdhënia reale dhe vetëdija personale në procesin terapeutik. Studentët do të aftësohen të planifikojnë, zbatojnë dhe reflektojnë mbi ndërhyrjet terapeutike, duke zhvilluar teknika të lehtësimit dhe udhëheqjes profesionale.
Kjo lëndë ofron bazat teorike, procedurale dhe teologjike të terapisë familjare. Studentët do të njihen me zhvillimin historik të fushës, qasjet kryesore terapeutike dhe rolin e terapistit në proces. Synon të forcojë aftësitë praktike të studentëve në vlerësimin dhe trajtimin e dinamikave familjare, përmes teknikave të ndryshme sistemike.
Kjo lëndë i përgatit studentët për punën me fëmijë dhe adoleshentë, duke njohur metodat e këshillimit dhe trajtimin e çrregullimeve si ankthi, ADHD dhe problemet sjellore. Kursi thekson ndërhyrjet në situata krize dhe specifikat e punës me fëmijë në kushte të ndryshme sociale dhe shëndetësore.
Në këtë lëndë, studentët pritet të përforcojnë njohuritë e tyre të marra në Psikopatologjia 1 dhe të mund të aplikojnë ato në kontekstin e hulumtimit, identifikimit të rasteve, konceptualizimit, si dhe perspektivave ndaj trajtimit. Studentët do të njoftohen me llojet e çrregullimeve psikopatologjike dhe do të aftësohen në evidentimin e rasteve.
Qëllimi i këtij Praktikumi është që të pajisë studentët me shkathtësi mbi format e testimit, intervistimit dhe vlerësimit psikologjik. Studentët do të njoftohen me instrumentet kryesore vlerësuese, do të aftësohen në diagnostifikimin e çrregullimeve të ndryshme mendore dhe përdorimin e parimeve etike gjatë punës me klientë.
Ky kurs ofron njohuri teorike dhe praktike mbi higjienën mendore, duke trajtuar faktorët që ndikojnë në mirëqenien psikologjike. Studentët zhvillojnë aftësi për menaxhimin e stresit, promovimin e reziliencës, aplikimin e strategjive parandaluese dhe ndërhyrjeve terapeutike për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit mendor.
Kjo lëndë është një hyrje në neuropsikologjinë klinike, që përfshinë nivelin anatomik, funksional dhe kongnitiv si dhe bazamentet tjera të sjelljes njerëzore dhe çrregullimeve neuropsikologjike. Studentët do të njoftohen me anatominë dhe fiziologjinë e psikopatologjive të ndryshme dhe do të inkurajohen të përdorin metodat kryesore për hulumtime në këtë fushë.
Kjo lëndë ka për qëllim të njoftoj studentët me bazat themelore të metodave kërkimore të përdorura në fushën e psikologjisë klinike dhe mjekësisë, t’i aftësojë ata në identifikimin dhe zbatimin e këtyre metodave, si dhe në përkthimin dhe integrimin e gjetjeve shkencore në praktikën e tyre profesionale si psikologë klinikë.
Ky kurs synon të pajisë studentët me aftësitë këshilluese dhe komunikimi terapeutik, përmes roleve praktike. Kursi synon të përgatisë studentët për përdorimin e teknikave të nevojshme për reflektime të mirëfillta individuale dhe grupore, si dhe të aftësoj ata për të punuar në profesionin e këshillimit.
Kjo lëndë eksploron principet themelore të terapisë njohëse-sjellore (CBT). Synon t’u ofrojë studentëve njohuri mbi konceptualizimin e rasteve sipas qasjes CBT, të familjarizojë ata me formatin e një seance standarde dhe me teknikat kryesore të terapisë, si dhe t’i përgatisë për zbatimin praktik të këtyre njohurive në rolin e psikologut.
Kjo lëndë synon t’i përgatisë studentët për të përballuar çështje etike sensitive në praktikën terapeutike, t’i pajisë ata me njohuri mbi referimin dhe mbikëqyrjen profesionale, t’i njoftojë me standardet etike në psikologji, dhe t’i aftësojë në zbatimin e tyre gjatë punës intervenuese, parandaluese dhe hulumtuese.
Kjo lëndë ofron një të kuptuar gjithëpërfshirës të shëndetit mendor përmes modelit bio-psiko-social, duke përfshirë faktorët biologjikë, psikologjikë dhe socialë. Studentët do të njihen me faktorët ndikues në shëndetin mendor, do të inkurajohen të ndjekin zhvillimet bashkëkohore në fushë dhe të zhvillojnë mendim kritik.
Ky kurs synon t’i pajisë studentët me shkathtësi praktike për konceptualizimin e rasteve, vetë-vetëdijshmërinë, dhe dokumentimin gjatë vlerësimit e trajtimit. Thekson rolin e terapistit eklektik, komunikimin profesional, prezantimin e rasteve, përballjen me ankthin terapeutik dhe nxit zhvillimin profesional përmes literaturës dhe trajnimeve.
Studenti zgjedh një temë dhe mbikëqyrës brenda fushës së specializimit dhe projektesh ekzistuese kërkimore. Procesi përfshin zhvillimin e pyetjes kërkimore, hartimin e propozimit, mbledhjen dhe analizën e të dhënave, si dhe përgatitjen e tezës finale, nën mbikëqyrje të vazhdueshme akademike dhe në përputhje me standardet kërkimore të programit.