Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike

Qëllimi dhe Profili i Programit

Programi BSc në Shkencat Kompjuterike dhe Inxhinierinë e Softuerit u mundëson studentëve të zhvillojnë sisteme softuerike cilësore, të sigurta dhe të qëndrueshme, të cilat jo vetëm plotësojnë kërkesat e përdoruesve, por edhe përputhen me standardet e industrisë. Për më tepër, programi synon t’i pajisë studentët me aftësitë për të punuar në mënyrë efektive si pjesë e ekipeve ndërdisiplinore dhe për të zhvilluar aftësinë e tyre për të komunikuar qartë dhe profesionalisht idetë teknike. Ai gjithashtu synon të forcojë aftësitë analitike dhe praktike të studentëve për t’iu përgjigjur sfidave të ndërlikuara teknologjike dhe për të ofruar zgjidhje efikase për problemet reale, duke i përgatitur ata të kontribuojnë në avancimet teknologjike dhe të ofrojnë zgjidhje që përmirësojnë jetën e njerëzve dhe funksionimin e bizneseve në tërësi.

Misioni

Misioni i programit BSc në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike është: “përmes arsimimit cilësor me studentin në qendër dhe kërkimit bazik, të pajisë studentët me njohuri të thelluara teorike dhe aftësi praktike në shkencat kompjuterike dhe inxhinierinë e softuerit, duke u mundësuar atyre të ndjekin studime të avancuara dhe rrugë kërkimore akademike, të bëhen konkurrues në tregun ndërkombëtar të punës dhe të ofrojnë zgjidhje krijuese për tregun e punës dhe shoqërinë në përgjithësi në epokën digjitale.”

Bartësit e programit tё studimit

Rezultatet e tё nxёnit

Pas përfundimit me sukses të programit Bachelor në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike, studentët do të kenë fituar njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e mëposhtme:

Njohuri:

Shkathtësi:

Kompetenca:

Pranimi nё studime

Sipas nenit 6 të Rregullores, studimet në programin BSc Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike kanë të drejtë t’i regjistrojnë të gjithë ata kandidatë të cilët i kanë përfunduar shkollimin e mesëm, posedojnë dokumentacionin e nevojshëm si dhe përmbushin kriteret minimale të pranimit të përcaktuara nga Senati. Sipas nenit 5 të Rregullores për Studime Bachelor, kushtet për pranim në studimet Bachelor janë:

Numri i vendeve për studim

Numri i vendeve për studim sipas vendimit të AKA-së është 275 studentë për vit akademik.

Njohja e kualifikimeve

Në bazë të Rregullores për Studime Bachelor të Kolegjit AAB, njohja e kualifikimeve dhe transferi i studimeve rregullohen nga Nenet 6, 7 dhe 8 të kësaj rregulloreje.

Këto nene përcaktojnë kushtet, kriteret dhe procedurat për pranimin e studentëve nga institucione të tjera të arsimit të lartë, mënyrën e realizimit të transferimit, si dhe procesin e njohjes dhe barazvlerësimit të lëndëve të studiuara më parë.

Kohëzgjatja dhe numri i ECTS-ve

Studimet në Programin BSc Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike zgjasin 3 vite, 180 ECTS me gjithsej 6 semestra.

Për çdo semestër studenti fiton 30 ECTS. Pas përfundimit të studimeve bachelor, studenti fiton mundësinë e vazhdimit të studimeve në nivelin Master, që zakonisht zgjasin 2 vite dhe me gjithsejtë 120 ECTS.

Niveli dhe Grada Akademike

Me rastin e përfundimit të studimeve, studentët fitojnë thirrjen akademike: Bachelor i Shkencave në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike.

Perspektivat e punësimit tё studentëve

Të diplomuarit nga programi Bachelor në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike në Kolegjin AAB kanë perspektiva të mira punësimi si në tregun vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Programi është ndërtuar në përputhje me nevojat aktuale dhe trendet globale të industrisë së teknologjisë së informacionit, duke u fokusuar në zhvillimin e aftësive praktike dhe profesionale që kërkohen nga tregu i punës.

Studentët e këtij programi përgatiten për role të ndryshme profesionale si zhvillues softueri, inxhinier sistemesh dhe rrjetesh kompjuterike, administrator bazash të dhënash, inxhinier testimi dhe cilësie softuerike, analist i të dhënave, inxhinier i inteligjencës artificiale, menaxher projektesh teknologjike dhe konsulent IT.

Metodat e vlerësimit

Në programin Bachelor në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike vlerësimi i studentëve realizohet përmes kombinimit të metodave përmbledhëse (summative) dhe formuese (formative), duke siguruar vlerësim e të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të vazhdueshëm të progresit të tyre akademik.

Metodat sumative përfshijnë provimet përfundimtare dhe me gojë, prezantimet dhe punimet semestrale, të cilat matin arritjet finale dhe zotërimin e rezultateve të të nxënit. Metodat formative përfshijnë kuize të shkurtra, detyra dhe aktivitete në klasë dhe në laborator të TI-së, si dhe feedback të vazhdueshëm me shkrim, të cilat synojnë monitorimin e progresit dhe përmirësimin gradual të performancës gjatë gjithë semestrit.

Tё dhënat pёr kalueshmërinë, braktisjen e studimeve dhe punësimin

BRAKTISJA E STUDIMEVE <15%

PUNËSUESHMËRIA E STUDENTËVE >90%

SUKSESI I STUDENTËVE NË PROVIME 8.5

Tё drejtat e studentëve

Studentët e Kolegjit AAB, bazuar në Statutin dhe Rregulloren e Studimeve BA, gëzojnë të drejtën të marrin pjesë në ligjërata dhe aktivitete akademike, të përdorin shërbimet universitare si biblioteka dhe interneti, të përfaqësohen në organet e studentëve, të organizohen në shoqata jo-politike, të pajisen me dokumente zyrtare studentore dhe, pas përfundimit të studimeve, të marrin diplomën përkatëse. Studentët kanë të drejtë të paraqesin ankesa dhe kërkesa lidhur me çdo aspekt të procesit mësimor, vlerësimit apo çdo çështje tjetër që konsiderojnë se u pengon zhvillimin e tyre akademik dhe mirëqenien gjatë studimeve në kolegj.

Pjesëmarrja e studentëve nё proceset e sigurimit tё cilësisë

Në Kolegjin AAB, studenti është akter i barabartë i cili përfshihet në hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e proceseve të sigurimit të cilësisë. Studentët janë pjesëmarrës aktiv në çdo grup punues apo punëtori në të cilën diskutohet politik bërja, planifikimi strategjik dhe vendimmarrja. Në veçanti, studenti merr pjesë në procedurat e sigurimit të cilësisë përmes:

Viti I

Bazat e Programimit - 8 ECTS (Obligative)

“Bazat e Programimit” është lëndë themelore që ofron hyrje në konceptet kryesore të programimit, përgatit studentët për modulet e avancuara, duke i pajisur me njohuri për gjuhët programuese, algoritmet, strukturat, testimin dhe dokumentimin e kodeve në mënyrë të sigurt dhe efikase

Matematikë I - 4 ECTS (Obligative)

Kjo lëndë synon zhvillimin e aftësive themelore matematikore përmes teknikave algjebrike, grafike dhe numerike, duke inkurajuar përdorimin efektiv të kalkulatorëve. Studentët mësojnë të zgjidhin ekuacione, të manipulojnë njësi dhe të interpretojnë grafikë, përqindje dhe vëllime në kontekste praktike

Arkitektura e Kompjuterëve dhe Sistemet Operative - 8 ECTS (Obligative)

Qëllimi i lëndës është t’i pajisë studentet me njohuritë moderne në ilustrimin e funksioneve të Arkitekturës Kompjuterike dhe Sisteme Operative me shembuj konkret, njohuri krahasuese në Windows, Unix, Linux, dhe sisteme tjera operative, njohja dhe kuptimi i mirëfilltë i punës së lëndës dhe t’i eksplorojë rëndësinë e Arkitekturës Kompjuterike dhe Sisteme Operative dhe funksionin e tij.

Shkathtësi në TI - 4 ECTS (Obligative)

Ky kurs synon të pajisë studentët me njohuri themelore në teknologjitë moderne, përfshirë përdorimin e aplikacioneve Office si Word, Excel, PowerPoint, Access dhe HTML, duke i aftësuar për kryerjen efektive të detyrave të përditshme dhe komunikimin përmes mjeteve digjitale bashkëkohore

Anglishtja për Shkenca Kompjuterike – 6 ECTS (Obligative)

Deri në përfundim të studimeve, studentët do të zhvillojnë njohuritë e përgjithshme në gjuhën angleze, aftësitë në lexim, dëgjim dhe të folur, duke kuptuar dhe përdorur gjuhën në kontekste akademike, profesionale dhe sociale për të komunikuar, raportuar, shpjeguar dhe diskutuar me efektshmëri.

Viti l Semestri II
Programimi i Orientuar në Objekte - 8 ECTS (Obligative)

Kjo lëndë synon të pajisë studentët me njohuri dhe aftësi në programimin e orientuar në objekte përmes Java-s, duke përfshirë dizajnin me klasa, trashëgiminë, polimorfizmin, pointerët, funksionet rekurzive, template-t dhe strukturat e të dhënave, përmes zgjidhjes së problemeve praktike

Web gjuhët dhe teknologjitë - 6 ECTS (Obligative)

Pas përfundimit me sukses të kësaj lënde, studentët do të jenë të aftë të zhvillojnë faqe uebi interaktive me (X)HTML, CSS, JavaScript dhe XML, t’i përshtatin ato për shfletues e platforma të ndryshme dhe të kuptojnë rëndësinë e standardeve dhe rolit të W3C.

Baza e të dhënave - 8 ECTS (Obligative)

Kjo lëndë ofron njohuri themelore mbi bazat e të dhënave, modelet dhe konceptet kryesore, duke theksuar rëndësinë e dizajnit të mirë. Studentët njihen me DBMS dhe mësojnë të organizojnë, mirëmbajnë dhe menaxhojnë sasi të mëdha të të dhënave në mënyrë efikase dhe të strukturuar.

Menaxhimi i Projekteve dhe Ndërmarrësia - 4 ECTS (Obligative)

Lënda synon t’u ofrojë studentëve njohuri bazike mbi menaxhimin e projekteve, duke i aftësuar të kuptojnë fazat e projektit, të hartojnë plane, të menaxhojnë burime, kohë, buxhet, komunikim dhe risk, si dhe të demonstrojnë kompetenca në zbatimin praktik të këtyre proceseve.

Interaksioni Njeri – Kompjuter – 4 ECTS (Zgjedhore)

Lënda synon t’u japë studentëve njohuri themelore mbi ndërfaqen Njeri-Kompjuter (HCI), duke i aftësuar të kuptojnë karakteristikat e përdoruesit dhe kompjuterit, si dhe të analizojnë, projektojnë dhe realizojnë ndërfaqe efektive duke përdorur vegla, hipertekst, multimedje dhe teknologji interaktive.

Anglishtja e avancuar – 4 ECTS (Zgjedhore)

Anglishtja e Avancuar është lëndë që ndjek një qasje të ekuilibruar ndaj temave të ndryshme, zhvillimit të gjuhës dhe aftësive që do t’i ndihmojë studentët të komunikojnë me besim. Aktivitetet e të folurit janë të spikatura, së bashku me aftësitë e tjera thelbësore të leximit, shkrimit dhe dëgjimit, të cilat zhvillohen sistematikisht gjatë gjithë kohës.

Viti II

Hyrje në Inteligjencë Artificiale – 4 ECTS (Obligative)

Lënda Hyrje në inteligjencën artificiale ka për qëllim përvetësimin e njohurive teorike dhe shkathtësive praktike të studentëve, të cilat do të mundësojnë ndërtimin e kompetencave në fushën e inteligjencës artificiale në mënyrë që studentët të jenë në gjendje që në mënyrë të pavarur të aplikojnë parimet bazë për zgjidhjen e problemeve.

Rrjetat kompjuterike – 6 ECTS (Obligative)

Lënda synon të ofrojë njohuri teorike dhe praktike për rrjetet kompjuterike, duke përfshirë konceptet bazë, topologjitë, modelin ISO, protokollet, multipleksimin, IP adresimin, subnetimin, teknologjitë Ethernet, rrjetet mobile, Wi-Fi dhe llojet e kabllimit, si dhe zgjidhjen e problemeve në rrjet.

Programimi i Web-it - 8 ECTS (Obligative)

Qëllimi i lëndës është të ofrojë njohuri dhe aftësi për krijimin e faqeve dhe aplikacioneve në internet duke përdorur HTML, CSS dhe JavaScript, duke përfshirë zhvillimin e faqeve statike dhe dinamike, punën me linqe, imazhe dhe tabela, si dhe publikimin e faqeve dhe përdorimin e serverëve. Lënda inkurajon studentët të vazhdojnë të thellojnë njohuritë e tyre edhe në teknologjitë tjera të avancuara të zhvillimit të uebit dhe i përgatit ata për tregun e punës në këtë fushë.

Algoritmet dhe struktura e të dhënave – 6 ECTS (Obligative)

Përmes kësaj lënde, studentët do të mësojnë të konceptojnë, përshkruajnë dhe analizojnë algoritme të ndryshme, duke vlerësuar efikasitetin e tyre përmes analizës së kompleksitetit të kohës së ekzekutimit. Lënda synon të zhvillojë aftësitë e studentëve për të përdorur struktura të ndryshme të të dhënave, si lista të lidhura, pemë dhe struktura të tjera, në mënyrë që të zgjidhin probleme të ndryshme kompjuterike në mënyrë efikase.

Algoritmet që zbatohen në grafe – 6 ECTS (Zgjedhore)

Qëllimi kryesorë i lëndës është që studentët e Shkencave Kompjuterike të fitojnë njohuri për konceptet dhe teknikat bazë të teorisë së grafeve dhe kombinatorikës të cilat janë të domosdoshme në shkencat kompjuterike.

Metodat e hulumtimit – 6 ECTS (Zgjedhore)

Qëllimi kryesor i lëndes Metodat e Hulumtimit është që t’i ofrojë studentëve njohuri me shumicën e metodave sasiore si dhe cilësore të përdorura nga studiuesit e fushave të shkencave kompjuterike në veçanti e kjo nuk kufizohet vetëm në këto shkenca. Njohja themelore e qasjeve metodologjike është absolutisht e rëndësishme për të kuptuar shkrimet akademike, publikimet akademike,etj.

Viti ll Semestri IV
Inxhinieria softuerike – 8 ECTS (Obligative)

Lënda Inxhinieri Softuerike ka për qëllim ju ofroj studentëve njohuri të thella, kritike dhe sistematike për parimet dhe teknikat e specifikimit sistematik dhe softuerik; analiza dhe dizajn; programim, testim dhe vlerësim; mirëmbajtje dhe menaxhim të projektimeve të aplikacioneve softuerike efikase dhe të mësojnë që shkathtësitë e fituara teorike dhe praktike t’i zbatojnë në sektorin e industrisë dhe të biznesit.

Machine Learning – 4 ECTS (Obligative)

Ky lëndë ofron një hyrje të gjerë në Machine Learning, Data Mining dhe modeleve statistikore për njohje (recognition). Temat përfshijnë: të mësuarit e mbikëqyrur (supervised) (algoritme parametrike/joparametrike, rrjete neurale), mësimin e pambikëqyrur (unsupervised) (grupimi, sistemet rekomanduese), etj.

Shkenca e të dhënave – 8 ECTS (Obligative)

Qëllimi i këtij kursi është të kuptuarit e koncepteve bazike të Shkencës së të dhënave dhe përdorimin e metodave të saj. Do të mësohet se si bëhet mostrimi i të dhënave pastaj përmes detyrave në programim (librarive të Python) do të mësojnë pastrimin, procesimin dhe analizimin e të dhënave. Në analizimin e të dhënave do të mësojnë për testimin e hipotezave nëpërmjet testeve si t-testi dhe tabelat pivot.

Programimi në .NET – 6 ECTS (Obligative)

Në këtë kurs praktik të trajnimit C#, do të fitohen njohuri gjithëpërfshirëse të bazave fillestare të C# si një gjuhë e orientuar në objekte për zhvillimin e aplikacioneve softuerike. Do të fitohet përvojë praktike duke përdorur C# dhe do të mësohet se si të shfrytëzohet .NET Framework Library për të krijuar programe sa më të shpejta të nivelit të lartë.

Administrimi i Serverëve – 4 ECTS (Zgjedhore)

Në kuadër të kësaj lënde studentët do të aftësohen me përdorimin e teknikave për vendosjen dhe administrimin e shërbimeve të rrjetit si DHCP, DNS, SMTP, SSH, HTTP, HTTPS, shërbime printimi dhe ndarje skedarësh në platforma server Windows dhe Linux.

Kriptografia në Sigurinë e Informacionit – 4 ECTS (Zgjedhore)

Në kuadër të kësaj lënde studentët do të aftësohen me aspektet kryesore të kriptografisë, do të ju ofrohen njohuri mbi sigurinë e informacionit dhe shfrytëzimin e teknikave të ndryshme dhe algoritmeve të kriptografisë, mbrojtjen nga sulmet keqdashës klasifikimin e sulmeve, burimet e kërcënimeve, rreziqet, pasojat.

Viti III

Inxhinieria softuerike e avancuar - 6 ECTS (Obligative)

Qëllimi i lëndës Inxhinieri Softuerike e Avancuar është të pajisë studentët me aftësinë për të aplikuar teknikat e orientuara në objekte në menaxhimin e projekteve të reja softuerike dhe për të optimizuar projektet ekzistuese. Gjithashtu, lënda synon t’u ofrojë studentëve aftësi për zbatimin e suksesshëm të teknikave moderne të modelimit UML (Unified Modeling Language) në projekte të ndryshme softuerike.

Programimi i grafikës dhe lojërave kompjuterike - 6 ECTS (Obligative)

Lënda Programimi i grafikes dhe Lojërave Kompjuterike ka për qëllim përvetësimin e njohurive teorike dhe shkathtësive praktike nga ana e studentëve duke përdorur teknologjitë bashkëkohore, të cilat do të mundësojnë ndërtimin e kompetencave bazë në fushën e programimit të lojërave.

Kompjutimi në Cloud - 6 ECTS (Obligative)

Qëllimi i kësaj lënde është që studentët të zhvillojnë njohuri të thelluara mbi konceptet dhe praktikat e Cloud Computing, të analizojnë përfitimet dhe rreziqet e migrimit nga IT tradicionale në IT Cloud, të aplikojnë shërbimet e avancuara të AWS, Microsoft Azure dhe VMware në projekte reale, si dhe të kontribuojnë në transformimin digjital të organizatave duke siguruar fleksibilitet, siguri dhe shkallëzim të sistemeve informatike.

Project / Internship - 8 ECTS (Obligative)

Kjo lëndë synon të integrojë njohuritë akademike me përvojën praktike duke i përfshirë studentët në projekte reale të zhvillimit të softuerit në kompani. Qëllimi është që studentët të mësojnë të zhvillojnë një zgjidhje funksionale për një use case specifik, duke përdorur teknologji dhe mjete bashkëkohore, nën mbikëqyrjen e mentorëve akademikë dhe profesionalë.

Baza e të dhënave NoSQL – 4 ECTS (Zgjedhore)

Kjo lëndë synon të pajisë me njohuri per studentët me bazat e databazave NoSQL dhe teknikat e menaxhimit të të dhënave përmes platformave sikurse MongoDB dhe Cassandra, duke zhvilluar aftësitë për modelimin e të dhënave dhe përdorimin e operacioneve të avancuara. Gjithashtu, studentët do t’i mundëson te fitojnë njohuri praktike në konfigurimin dhe administrimin e platformave MongoDB dhe Cassandra, duke përdorur API dhe pyetësorë për të krijuar dhe menaxhuar aplikacione të shkallëzuara dhe performuese.

Realiteti virtual dhe i shtuar (RV & AV) – 4 ECTS (Zgjedhore)

Përmes një kombinimi të teorisë dhe praktikës, lënda synon të forcojë aftësinë e studentëve për të kuptuar ndikimin e këtyre teknologjive në fusha të ndryshme si edukimi, shëndetësia dhe argëtimi. Në fund të semestrit, studentët do të jenë të aftë të krijojnë dhe të vlerësojnë eksperienca interaktive të VR dhe AR, duke marrë parasysh aspekte teknologjike dhe etike të zbatimit të tyre në shoqëri.

Viti lll Semestri VI
Sistemet e avancuara të bazave të të dhënave - 6 ECTS (Obligative)

Qëllimi i lëndës është t’u ofrojë studentëve njohuri teorike dhe shkathtësi praktike për zhvillimin e kompetencave të avancuara në fushën e bazave të të dhënave. Lënda përqendrohet në karakteristikat e bazave të të dhënave dhe sistemeve moderne të menaxhimit të tyre, duke përfshirë teknika për organizimin dhe optimizimin e tyre.

Siguria e të dhënave – 4 ECTS (Obligative)

Qëllimi i kësaj lënde është që të eksploroj para studentëve konceptet themelore, definicionet dhe praktikat më të mira të sigurisë së të dhënave dhe sistemeve të teknologjisë së informacionit në përgjithësi, duke i prezantuar ato përmes shembujve konkret nga organizata të ndryshme.

Programimi i pajisjeve mobile – 6 ECTS (Obligative)

Lënda Programimi i pajisjeve mobile ka për qëllim t’i mësoj studentit programimin e avancuar të pajisjeve mobile me sistem operativ Android, po ashtu dhe ta aftësoj atë për tregun konkurrent të programimit në jetën e tij profesionale pas universitare.

Tema e diplomës – 14 ECTS (Obligative)

Pas përfundimit të të gjitha provimeve, studenti kontakton me një profesor nga fusha e cila i duket se mund të kontribuojë më shumë, dhe i cili pastaj e mentoron studentin në të gjitha fazat e krijimit të produktit final, dhe i cili mun të jetë produkt softuerik, hulumtim shkencor ose çfarëdo punimi me vlerë shkencore nga shkencat kompjuterike.