Duke ditur rëndësinë e edukimit për sigurinë kibernetike, Kolegji AAB ka zhvilluar vazhdimisht kurrikulën e studimeve dhe ka përgatitur Fakultetin e Shkencave Kompjuterike me programe të azhurnuara në përputhje me kërkesat aktuale dhe të ardhshme që ndërlidhen me çështjet e sigurisë kibernetike.
Ne kemi një traditë të gjatë dhe histori të suksesshme të të diplomuarve me cilësi të lartë në fushën e Teknologjisë Informative. Inxhinierët e sotëm duhet të jenë në gjendje të zgjidhin probleme komplekse, andaj edhe nevojiten specializime në fusha të ngushta të profesionit. Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, ka bërë një kombinim të fushave ndër-disciplinore me studime të specializuara në profilin e zgjedhur për secilin program; Inxhinieri Softuerike, Rrjetat komunikuese, si dhe së fundmi edhe programin profesional për Siguri kibernetike.
Vlen të ceket se programi i Sigurisë Kibernetike është i pari program i akredituar në Kosovë i këtij lloji dhe është shpresa e edukimit të të rinjve dhe të rejave në këtë fushë aq specifike. Ky program ka për qëllim t’ i pajisë studentët me kompetencë profesionale në mënyrë që të jenë në gjendje të ushtrojnë profesione në fushën përkatëse. Ideja e programit është pajisja e studentëve me njohuritë për bazat e sigurisë së të dhënave, sulmet kibernetike si dhe masat që duhet të merren për mbrojtje nga këto sulme.
Programi i studimit në Siguri Kibernetike në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në AAB është program profesional i cili synon t’ i përafrojë sa më tepër studentët me tregun e punës, në mënyrë që t’ u sigurojë atyre punësim të drejtpërdrejtë.
Misioni i Qendrës për Siguri Kibernetike është të sigurojë një arsim të vazhdueshëm për gjeneratën e ardhshme të udhëheqësve të sigurisë në internet për vendin tonë dhe për tërë rajonin. Kjo qendër do të ketë mision transformimin e jetës duke siguruar një arsim të qëndrueshëm për sigurinë kibernetike, dhe me cilësi të lartë që përgatit studentët për transferim dhe sukses në karrierë, forcon fuqinë punëtore rajonale dhe pasuron komunitetin tonë.
Qendra e Sigurisë Kibernetike do të jetë lider në zhvillimin e arsimit të aplikuar dhe inovativ në sigurinë e të dhënave në internet që ofron përgatitje superiore për suksesin e studentëve.
Nga përfshirja me komunitetin në çështjet komplekse të sigurisë në internet deri në pjesëmarrjen në projekte inovative, studentët e Kolegjit AAB jo vetëm që do të kenë rastin të fitojnë dije për sigurinë e të dhënave në internet, por do të kenë qasje në një nga qendrat më të spikatura në Kosovë për edukimin e sigurisë në internet.
Bashkëpunimi me institute dhe universitete me renome në ShBA dhe në Evropë do të jetë synim parësor i Qendrës për Siguri Kibernetike. Përmes këtyre bashkëpunimeve ndërkombëtare synohet që të bëhet këmbimi i njohurive, qasja në të dhëna të përbashkëta për analizë të rreziqeve që mund të kanosin të dhënat tona në internet.
Qendra për Siguri kibernetike (Cybersecurity Center) do të shërbejë gjithashtu si një model kombëtar për përsosmëri në edukimin e sigurisë në internet. Kurrikula jonë inovative në drejtimin e Shkencave Kompjuterike në AAB, shtrirja e komunitetit dhe nismat arsimore do të marrin vëmendje edhe në rajon. Idetë inovative të projekteve, të tilla si: “Sfidat e sigurisë kibernetike në vendet në zhvillim; rast studimi Kosova”; “Sfidat e sigurisë dhe privatësisë në rrjetat Ad-Hoc”, projekte të përkrahura nga Kolegji AAB, Ambasada Amerikane në Kosovë dhe Programi Fulbright, si dhe projekte të tjera në zhvillim e sipër, e bëjnë këtë qendër mjaft atraktive dhe profesionale.
Marrëveshja me “Capitol Technology University”, i cili më 25.02.2020, ka marrë “Çmimin Kombëtar për programin më të mirë të sigurisë kibernetike“, do të mundësojë krijimin e laboratorëve profesionale për siguri kibernetike dhe ofron shkëmbim të studentëve dhe stafit. Kjo dhe marrëveshje të tjera të kësaj natyre si dhe marrëveshjet që synojmë në të ardhmen, na bëjnë të jemi unik në këtë lëmi, në Kosovë dhe jo vetëm.
Kontaktet
Dr. Arianit Maraj
Director of Cybersecurity Center
E-mail:
[email protected]
[email protected]
Tel.: +383 38 600 005
Mob.: +383 45 284 797
Adresa:
Rr. ”Elez Berisha”, nr. 56,
Zona Industriale Prishtinë – Fushë Kosovë,
10000 Prishtinë, Republika e Kosovës