Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB dhe Sistemi i Transmisionit të Republikës së Kosovës (KOSTT), nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, e cila ka për qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për studentët e Fakultetit Ekonomik të AAB-së, për të mbaruar mësimin praktik në këtë institucion dhe aktivitete të tjera profesionale, të cilat janë në shërbim të studentëve dhe të të dyja institucioneve.
Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e KOSTT- it nga u.d. dekani i Fakultetit Ekonomik të AAB-së, Median Hashani, dhe kryeshefi Ekzekutiv, Mustafë Hasani.
Z. Hashani, duke falënderuar KOSST për nënshkrimin e këtij memorandum bashkëpunimi, tha se kjo është një mundësi e mirë për studentët e Kolegjit AAB, që njohuritë teorike t’i transferojnë edhe në praktikë, por gjithashtu të përfitojnë njohuri të reja praktike nga realizimi i kësaj praktike në KOSTT.
“E përgëzoj KOSTT për këtë hap dhe konsideroj që është hap i duhur në drejtim të krijimit të kushteve për zhvillimin e mëtutjeshme të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë”, u shpreh z. Hashani, duke shtuar se një praktikë të tillë ta vazhdojnë edhe dikasteret tjera të rëndësishëm të vendit, që do të ishte me interes të dyanshëm edhe për institucionet përkatëse, por sidomos për studentët dhe institucionet e arsimit të lartë.
Ndërsa, kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Mustafë Hasani, bëri të ditur se qëllimi i nënshkrimit të këtij memerandumi është promovimi i aftësimit profesional të studentëve të Kolegjit AAB në fushat që lidhen me KOSTT.
“Bashkëpunimi me institucionet e arsimit të lartë në cilat do fusha do të shkojë në të mirë të zhvillimit të shkencës dhe aftësimit profesional të studentëve”, tha z. Hasani.