Prof. Xhavit Islami, dekan i ri i Fakultetit Ekonomik – Kolegji AAB

29 Shtator 2025

Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB shënoi një moment të rëndësishëm institucional me dorëzimin e detyrës së Dekanit nga Prof. Ass. Dr. Medain Hashani tek i nominuari i ri, Prof. Ass. Dr. Xhavit Islami.

Gjatë ceremonisë, Dekani i ri, Prof. Ass. Dr. Xhavit Islami, vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të ish-dekanit në zhvillimin akademik dhe profesional të fakultetit, duke nënvizuar arritjet në fushat e ndërmarrësisë, biznesit digjital, marketingut, financave dhe bankave, si dhe përgatitjen e studentëve për sfidat e ekonomisë digjitale dhe globalizimit.

Prof. Ass. Dr. Xhavit Islami theksoi se prioritet i tij është të vazhdojë rrugën e suksesit të ish-dekanit, duke fuqizuar inovacionin, përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie, zhvillimin e aftësive ndërkombëtare të studentëve dhe promovimin e një kulture të fortë ndërmarrëse. Ai premtoi të zhvillojë iniciativa që do të forcojnë pozicionin e Fakultetit Ekonomik si lider në arsimin ekonomik dhe menaxherial, duke i dhënë prioritet ekonomisë digjitale, biznesit inovativ dhe përgatitjes së profesionistëve të suksesshëm në nivel global.

Ky ndërrim i udhëheqjes shënon një hap të rëndësishëm në historikun e Fakultetit Ekonomik dhe konfirmon angazhimin e Kolegjit AAB për t’u zhvilluar si një institucion i avancuar, që lidhet ngushtë me trendet globale në ekonominë digjitale, ndërmarrësi, marketing dhe teknologji.

Share: