Fakulteti i Gjuhëve të Huaja organizon tryezë diskutimi me profesorë dhe alumni

26 Qershor 2024

Profesorët dhe disa studentë të diplomuar të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja nga programi i Gjuhës Angleze, mbajtën një tryezë diskutimi me temën: “Përmirësimi i programit të studimit përmes sugjerimeve të alumni-t”.

Ky aktivitet kishte për qëllim trajtimin e sugjerimeve nga të diplomuarit, në lidhje me disa çështje të programit të nivelit bachelor në Gjuhën Angleze.

Takimi pati një rëndësi të veçantë, pasi të diplomuarit e shohin programin nga këndvështrimi i të punësuarve, të cilët i vënë në zbatim njohuritë e siguruara në fakultet.

Ndër temat që u diskutuan në takim ishin rishikimi i planprogramit, metodat e vlerësimit, dhënia e vlerësimeve nga ana e profesorëve dhe studentëve, shqyrtimi i rezultateve të të nxënit, propozimet për aktivitete studentore, mundësia e hapjes së një programi të ri, thellimi i bashkëpunimit me punëdhënësit potencial etj.

Ky aktivitet ishte vazhdimi i disa takimeve informale paraprake midis këtyre grupeve të interesit, me qëllim përpilimin e një programi në harmoni me kërkesat e kohës.

Share: