Fakulteti i Komunikimit Masiv mbajti tryezë diskutimi në temën “Gjuha e urrejtjes në mediat shqiptare”

27 Mars 2018

“Gjuha e urrejtjes në mediat shqiptare”, ishte tema e ligjëratës së organizuar për studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, ku studentët patën rastin të dëgjojnë por edhe të bashkëbisedojnë për këtë temë, me kryetaren e Këshillit për ankesa në AMA, Shqipëri, Dr. Monika Stafa.

Qëllimi i kësaj tryeze diksutimi me studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv ishte informimi nga njerëzit përgjegjës të cilët i monitorojnë rastet ku gjuha e urrejtjes vihet në pah, si në televizione ashtu edhe në mediat online. Stafa tha se është me shumë rëndësi të diskutohen çështjet e vërtetësisë dhe kuptimit të përmbajtjes së lajmeve, të cilat i konsumojmë çdo ditë.

“Edhe pse në përgjithësi mediat në Kosovë dhe Shqipëri nuk kanë treguar probleme madhore në lidhje me gjuhën e urrejtjes, në një shoqëri që po përpiqet të hapet gjithnjë e më shumë ndaj grupeve të margjinalizuara, rreziku për të kaluar kufirin e gjuhës korrekte bëhet gjithnjë e më i fortë, andaj secili duhet të ketë përgjegjësi në atë që thotë dhe shkruan”, tha Monika Stafa.

Ndërkaq, Alda Bardhyli, drejtoreshë e UETPREss-it, ligjëroi për “Krizën e leximit sot”. Ajo tha se rënia e leximit është sot një trend global ku të rinjtë më shumë parapëlqejnë të konsumojnë informacione online dhe më pak janë të interesuar për leximin e veprave letrare dhe librit shkencor. Ajo porositi studentët që pavarësisht leximit të librave në formë elektronike, megjithatë nuk duhet të lënë anësh leximin e klasikëve të letërsisë.

 Në fund të kësaj tryeze, studentët e Kolegjit AAB patën rastin që të diskutojnë dhe të bëjnë pyetje, të cilave iu përgjigjen panelistët.

Share: