Fakulteti i Psikologjisë shënoi Javën e Vetëdijesimit për Shëndetin Mendor

15 Maj 2021

Në kuadër të javës për vetëdijesimin për shëndetin mendor, në organizim të Fakultetit të Psikologjisë të Kolegjit AAB dhe Klinikës “Empatia”, në Kolegjin AAB u mbajt Tryezë Diskutimi me profesionistë të fushës, në temën “Të kuptojmë shëndetin mendor / Reflektime në kohë pandemie”
Dekani i Fakultetit të Psikologjisë, Prof.Naim Telaku, në hapje të kësaj tryeze, përmendi disa nga shifrat më domethënëse sa i përket shëndetit mendor, të publikuara nga OBSH.

Sipas Telakut, fusha e shëndetit mendor, megjithëse bukur shumë e injoruar, sipas statistikave të ndryshme, është njëra prej fushave me problematikën më të madhe në nivel global.

Ai bëri të ditur se sipas OBSH-së, rreth 10% e popullatës së botës është e prekur nga sëmundjet mendore, ndërkohë që ky numër në vendet e varfëra mund të shkojë deri në 20%. Prej tyre janë rreth 264 milionë njerëz të cilët vuajnë nga depresioni, nga çrregullimet bipolare rreth 45 milionë, nga skizofrenia rreth 20 milionë njerëz, derisa demencat kanë prekur rreth 50 milionë njerëz në glob.

Problemet e shëndetit mendor, janë shkak edhe i vetëvrasjeve, duke dhënë një statistikë shqetësuese në veçanti te moshat 15-29 vjeç, ku vetëvrasja është shkaktari i dytë më i madh i vdekjeve në nivel global.

Te kjo grupmoshë, në çdo 40 sekonda, një i ri bën vetëvrasje në botë.
Një problem tjetër që e theksoi dekani Telaku është edhe niveli i ulët i vetëdijesimit për natyrën e problemeve të shëndetit mendor edhe tek popullata e përgjithshme por edhe te institucionet e ndryshme.

Ai nënvizoi gjithashtu edhe një rritje të dukshme të paraqitjes së ankthit te popullsia, ku sipas tij, për shkak të pandemisë Covid-19, niveli i ankthit është rritur nga 30-50%.

Në këtë tryezë, e ftuar ishte edhe psikologja Shqipe Ukshini, nga QKUK, e cila tha se rritja e problemeve të shëndetit mendor lidhet proporcionalisht edhe me rritjen dhe mbingarkesën e vendbanimeve urbane.

‘’Sa më shumë të rritet numri i banorëve nëpër qytete aq më e madhe është shifra e depresioneve, çrregullimeve të ankthit apo sulmeve të panikut dhe skizofrenisë. Sa më e lartë mbingarkesa e qyteteve aq më e madhe problemet dhe ndryshimet trunore të cilat reflektojnë edhe me frikën edhe panikun e depresionin”, tha Mjekiqi.

Ndërsa, psikologu Fitim Uka, nga Klinika “Empatia” tha se për dallim nga periudha e para një dekade ka një perspektivë në trajtimin e këtyre sëmundjeve, sepse sot njerëzit flasin më haptas për shëndetin mendor dhe shqetësimet e tyre. ‘’Jam i bindur që me këtë erë të re të psikologjisë në Kosovë, më nuk do të flasim vetëm për trajtim të çrregullimeve mendore, por edhe për parandalim te tyre.’’, tha Uka.

Në këtë tryezë diskutimi mori pjesë edhe psikologja Shkurtë Bajgora, nga linja e ndihmës psikologjike “Mbështetu”, që ka për qëllim ndihmën e parë psikologjike për qytetarët e shqetësuar. Ajo theksoi se në këtë linjë paraqiten raste të ankthit, sulmeve të panikut, shqetësime personale në familje apo me shoqëri.

Share: