Fakulteti i Shkencave Sociale në Kolegjin AAB ka finalizuar projektin me temë “Stop dhunës në familje-edukim, ndërgjegjësim dhe ndryshim shoqëror”, i udhëhequr nga PhD.c. Jeton Brajshori dhe i realizuar nga studentja Arlinda Bajqinca Tahiri, së bashku me Bleonë Paçarizi, Erblina Blakaj dhe Arba Pupovci.
Në kuadër të këtij projekti, u zhvilluan ligjërata dhe aktivitete ndërgjegjësuese me nxënës në shkolla nga komuna e Obiliqit dhe Fushë Kosovës, ku studentet kanë pasur mundësi të ligjërojnë për nxënësit, me qëllim rritjen e edukimit dhe ndërgjegjësimit lidhur me këtë çështje të rëndësishme shoqërore.
Po ashtu, brenda këtij projekti u organizua eventi me temën “Unë i them JO dhunës”, i mbajtur në Bibliotekën e Qytetit në Obiliq, në formë paneli diskutimi. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionalë, zyrtarë policorë, përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale, si dhe përfaqësues komunalë, ndër ta nënkryetari i komunës së Obiliqit Berat Gashi dhe drejtoresha e DKA-së, Sevdije Krasniqi.
Ky aktivitet u pasurua edhe me shpërndarjen e broshurave informuese për pjesëmarrësit, duke e zgjeruar më tej dimensionin edukativ dhe ndërgjegjësues të projektit.
Në përmbyllje të këtij projekti studentet shprehën mirënjohje të thellë ndaj Kolegjit AAB për mbështetjen institucionale dhe mundësinë e ofruar për të shndërruar idetë në iniciativa.


