Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Infermierisë të Universitetit “Dokuz Eylul” në Turqi

5 Tetor 2016

Dekani i Fakultetit të Infermierisë të Kolegjit AAB, Idriz Sopjani dhe mësimdhënësi Engin Melekoglu, vizituan Fakultetin e Infermierisë të Universitetit “Dokuz Eylul” në Turqi, të cilët u pritën nga dekanja e këtij fakulteti, prof. dr. Samiye Mete, me ç’rast nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Marrëveshja parasheh bashkëpunimin dhe shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, projekte të përbashkëta zhvillimore dhe hulumtuese, seminare dhe takime të tjera për çështje akademike e shkencore. Po ashtu me këtë marrëveshje parashihet edhe përdorimi i bibliotekave përkatëse për nevoja të studimeve dhe hulumtimeve shkencore, si dhe takime të tjera akademike për çështje të rëndësishme për të dy institucionet dhe të dyja vendet.

Gjatë këtij takimi, dekanja e Fakultetit të Infermierisë në Universitetin “Dokuz Eylul”, prof. dr. Samiye Mete, përveç tjerash ka thënë se do të ofrojë mbështetje maksimale për stafin e Fakultetit të Infermierisë të AAB-së, për regjistrimin në programin e doktoratës në Fakultetin e Infermierisë në Universitetin “Dokuz Eylul”.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Infermierisë në Kolegjit AAB, Idriz Sopjani, shtoi se Kolegji AAB do të angazhohet në ofrimin e kushteve më të mira, cilësore dhe bashkëkohore për studentët e Fakultetit të Infermierisë duke çmuar edhe mbështetjen e fakulteteve partnere siç është ai i Universitetit “Dokuz Eylul” në Turqi.

Universitetin Dokuz Eylül në Turqi, sot renditet lart në ranglistën e universiteteve të klasit botërorë, ka numër të madh të programeve për studimet që ofron, numër të madh të studentëve dhe numër të madh të stafit akademik, gjithashtu është i shquar për bashkëpunime shkencore ndërkombëtare.

Share: