06 Tetor 2025
Kolegji AAB ka nisur zyrtarisht vitin akademik 2025/26, duke mirëpritur studentët e rinj dhe ata aktualë. Rektori i Kolegjit, Dr. Sc. Blerim Olluri, uroi të gjithë studentët për një fillim të mbarë dhe theksoi rëndësinë e këtij momenti si një mundësi për zhvillim akademik, personal dhe profesional, si dhe për t’u njohur me komunitetin dhe shërbimet e institucionit.
Mesazhi i plotë i Rektorit:
I/e dashur student/e,
Ndjehem i lumtur t’ju dëshiroj mirëseardhje të ngrohtë në Kolegjin AAB!
Është kënaqësi e veçantë për ne që ju kemi pjesë të komunitetit tonë akademik dhe jemi të bindur që vitet që do të kaloni këtu, do të jenë ndër më të rëndësishmet dhe formuese në jetën tuaj.
Ne besojmë se çdo student sjell me vete një histori, një vizion dhe një potencial unik, dhe mezi presim të shohim se si do të rriteni, sfidoni veten dhe të tjerët, dhe të lini gjurmën tuaj në këtë institucion arsimor.
Gjatë javëve të para do të organizohen disa aktivitete orientuese, prezantime dhe takime me stafin akademik e studentë të tjerë.
Këto janë mundësi të shkëlqyera për t’u njohur më mirë me ambientin, rregullat, shërbimet dhe gjithçka tjetër që ju ndihmon të nisni sa më mbarë këtë kapitull të ri.
Suksese…
I juaji,
Rektori i Kolegjit AAB
Dr. Sc. Blerim Olluri