Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB për shënimin e Javës Globale të Ndërmarrësisë #GEW2020, në kampusin e AAB-së në Gjakovë u mbajt diskutimi me temën “Sfidat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme gjatë kohës së Pandemisë Covid-19”.
Diskutimi u zhvillua me pjesëmarrje të kombinuar të studentëve, fizike dhe virtuale, duke respektuar distancën sociale dhe masat për parandalimin e infektimit nga Covid-19.
I ftuar në këtë diskutim ishte ndërmarrësi dhe konsulenti, Butrint Batalli, CEO në INOVA – Industrinë e Gypave të Plastikës.
Në hapje të diskutimit, drejtori i degës së Kolegjit AAB në Gjakovë, Rifat Haxhija, theksoi sfidat e të bërit biznes me theks të veçantë për sfidat e NVM-ve dhe vështirësitë e paraqitura gjatë kohës së Pandemisë COVID-19.
Më tej, ndërmarrësi Batalli, krahas problemeve dhe sfidave në të bërit biznes që janë evidente në vendin tonë e në veçanti në këtë periudhë pandemike, radhiti edhe një varg zgjidhjesh që mund të bëhen.
Ndër të tjera, Batalli potencoi nevojën për ndryshimin e modeleve dhe strategjive të biznesit që u përshtaten rrethanave të kohës. Ai informoi studentët edhe për hapat që duhet ndërmarrë institucionet qeveritare, komuniteti i biznesit dhe institucionet e arsimit të lartë për të lehtësuar bizneset në kërkesat e tyre gjatë kësaj periudhe, si dhe për të shfrytëzuar momentumin për ristrukturim të ekonomisë së vendit.
Batalli tha se është më mirë të kemi plane afatgjata të biznesit por rishikime të shpeshta në mënyrë që ato të jenë koherente dhe t’ u përgjigjen nevojave dhe rrethanave në të cilat operon biznesi. “Tashmë, meqë jemi në këtë situatë, e udhës është që të orientohemi ka e ardhmja duke përqendruar të gjithë energjitë tona, jo në luftimin e së vjetrës, por në ndërtimin e së resë”, porositi ndërmarrësi Butrint Batalli, në mbyllje të diskutimit me studentët e AAB-së.