Është hapur Festivali i Arteve dhe Arkitekturës në Kolegjin AAB për edicionin e gjashtë me radhë, me temën “Një me të Ardhmen”, ku trajtohen perspektiva bashkëkohore mbi artin, arkitekturën, teknologjinë dhe qytetet e së ardhmes.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, iu uroi mirëseardhje të pranishmëve ndërsa tha se tema e këtij festivali na shtyn të reflektojmë thellë mbi marrëdhëniet në zhvillim midis artit, arkitekturës, teknologjisë dhe realiteteve urbane.
“Në këtë ndërthurje të disiplinave krijuese dhe mendimit vizionar, ne nuk jemi thjesht duke imagjinuar të ardhmen, por po angazhohemi, po e ndërtojmë dhe po e sfidojmë të jetë më gjithëpërfshirëse, më e qëndrueshme dhe më njerëzore. Ne jemi krenarë që jemi shtëpia e Fakultetit të Arteve dhe Arkitekturës, i cili mishëron këto vlera çdo ditë”, tha Olluri ndër të tjera.
Dekani i Fakultetit të Arteve Fitim Aliu, shprehu mirënjohje për të gjithë stafin akademik dhe studentët të cilët për 6 vite kontribuojnë në mënyra të ndryshme që festivali të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa tha se është hapësira ideale për ta që të shprehin talentet e tyre dhe të mësojnë gjëra të reja për tema të ndryshme që trajtohen gjatë pesë ditëve.
Festivali do zgjas deri më 28 maj, ndërsa filloi me mbajtjen e një konference, për të vazhduar me promovimin e librit nga profesori Memli Kelmendi “24 vepra pianistike për fëmijë”, sfilata nga studentët e Dizajnit të Mdoës, workshop “Hybrid Urbanity”, koloni artistike e studentëve të Pikturës nga AAB, ndërsa do përmbyllet me ndarjen e certifikatave për të gjithë ata që dhanë kontribut në këtë festival.