Historitë e grave të suksesshme nga Kosova dhe rajoni do të botohen në “Woman Book”

24 Tetor 2019

Me qëllim të promovimit të grave të suksesshme në ndërmarrësi, Kolegji AAB ishte nikoqir i tryezës së diskutimit të organizuar nga OJQ „Lady“/Balkan Women Association (BWA), ku u fol për gratë e suksesshme nga Ballkani Perëndimor.

Sanija Murati, drejtoreshë e OJQ „Lady“/Balkan Women Association (BWA) tregoi se gjithmonë ka qenë e angazhuar për të qenë e pavarur dhe për të ndërmarrë hapa të mëdhenj gjatë jetës. Ajo tregoi për sfidat me të cilat është ballafaquar kur ka ardhur në Kosovë, duke u nisur nga mosnjohja e gjuhës. Por me punë arrihet gjithçka, andaj ajo porosit gratë: “Pa rrezikuar nuk mund të arrijmë asgjë, nuk duhet të rrimë ku jemi, por duhet të mendojmë të zhvillohemi më tutje dhe ta fuqizojmë rolin tonë në shoqëri”.

Historitë e tyre të suksesit dhe përvojat e tyre në këtë tryezë i treguan edhe Zana Tabaku dhe Vjosa Berisha.

Tabaku e cila është themeluese e kompanisë “Appdec”, një kompani që ofron shërbime teknologjike porositi pjesëmarrëset që duhet të fokusohen në këtë drejtim. “Mund të them se teknologjia është e ardhmja, do të hapen edhe shumë pozita dhe vende të reja pune sa i përket kësaj fushe. Programimi mendoj se duhet të jetë pjesë e rrugës që ndiqni, pa marrë parasysh se çfarë studioni”, tha Zana Tabaku.

Ndërsa drejtoresha e PriFest Festival, Vjosa Berisha, tregoi për sakrificat me të cilat është dashur të përballej gjatë rrugëtimit të saj drejt suksesit.

“Pas përfundimit të shkollimit të mesëm unë doja të vazhdoja me studime jashtë vendit. Shkova në Londër studioja dhe punoja në të njëjtën kohë, mund t’ i arrija të dyja. Fakulteti ku kam kryer studimet master në Londër nuk ka asgjë më shumë se vendi në të cilin ndodhemi tani, Kolegji AAB. Andaj të keni parasysh se ky vend ofron mundësitë më të mira për të gjithë studentët që dëshirojnë të jenë të suksesshëm”, tha Berisha.

Tryeza e sotme e diskutimit i parapriu librit që pritet të botohet së shpejti “Woman Book”, i cili do të përmbajë 60 histori jete dhe suksesi të vajzave dhe grave nga Ballkani Perëndimor.

Qëllimi i këtij libri është të ndajë punën, përvojën, emocionet dhe jetën e grave dhe vajzave të suksesshme me qëllim të motivimit të grave dhe vajzave tjera në gjithë rajonin.

 

Share: