Hulumtimi në Kolegjin AAB ka përparuar vitet e fundit, duke përqafuar ndryshimet dinamike nga një mësimdhënie e fokusuar, në përfshirjen e shkencës dhe kërkimit si komponentë integral të aktiviteteve në AAB. Në përputhje me misionin institucional, hulumtimi në AAB ka për qëllim avancimin, krijimin dhe shpërndarjen e njohurive për të përmirësuar mirëqenien dhe shëndetin e popullatës si dhe zhvillimin kulturor, social dhe ekonomik të shoqërisë. Duke vepruar kështu, AAB mbështet krijimin e një kulture kërkimore në domenin institucional si dhe në të gjitha disiplinat dhe fushat e studimit. Në parimet shkencore, të përcaktuara në planin strategjik të zhvillimit (2022-2026), krijimi i kulturës kërkimore arrihet pjesërisht duke përafruar praktikat kërkimore me vlerat bazë dhe standardet evropiane të përsosmërisë akademike, lirisë, integritetit dhe sinqeritetit.
Zhvillimi i projekteve kërkimore dhe mbështetja institucionale
Cilësia e rezultateve kërkimore të lidhura me AAB monitorohet pjesërisht përmes Scopus dhe Web of Science. Profesorët dhe hulumtuesit në Kolegjin AAB janë të detyruar të publikojnë në revista me renome ndërkombëtare të renditura në bazat e të dhënave shkencore të lartpërmendura. Kolegji AAB dedikon rreth 12% të buxhetit të tij për zhvillimin e avancimit shkencor. Kjo do të thotë se si stafi, ashtu edhe studentët inkurajohen të kryejnë hulumtime dhe të aplikojnë për mbështetje financiare përmes buxhetit të kërkimit institucional. Dy herë në çdo vit akademik, Kolegji AAB shpall thirrje të brendshme për projekte kërkimore të realizuara përmes instituteve përkatëse kërkimore.
Institutet kërkimore
Formimi i një kulture të qëndrueshme kërkimore është miratuar me anë të krijimit të tre instituteve kërkimore që bashkojnë studiues nga disiplina të ndryshme për tematika specifike. Kjo përfshin institutin kërkimor për Studime dhe Zhvillim Shëndetësor, i cili zhvillon projekte në fushat e infermierisë, radiologjisë dhe stomatologjisë. Gjithashtu, Instituti Kërkimor për Diversitet dhe Përfshirje ka si fokus tematik shqyrtimin e përfshirjes dhe diversitetit kur bëhet fjalë për vektorët social si gjinia, aftësia e kufizuar, identiteti etnik, gjuha etj. Ky institut, gjithashtu përfshin studime të zhvillimit ekonomik, administratës publike, gjuhës, psikologjisë, komunikimit masiv etj. Së fundi, një institut kërkimor dedikuar Arteve dhe Shkencave Humane është zhvilluar përmes departamentit të gjuhës angleze për t’u fokusuar në çështjet e gjuhës dhe letërsisë.
Trajnimet për shkencë dhe avancim të hulumtimit
Avancimi i suksesshëm i një kulture të qëndrueshme kërkimore në AAB është i lidhur ngushtë me njohuritë e qasjeve ndaj kërkimit dhe inovacionit. Trajnimet mbi komponentë të ndryshëm që lidhen me kërkimin shkencor dhe publikimet janë bërë prioritet për të inkurajuar zhvillimin cilësor. Pjesërisht, kjo është bërë përmes krijimit të Qendrës për avancim profesional dhe inovacion (në tekstin e mëtejmë: QAPI). Përmes kësaj qendre, ne organizojmë trajnime të ndryshme në lidhje me kërkimin shkencor, siç ishte trajnimi me prof. Melita Kovaçeviq për integrimin e kërkimit në mësimdhënie. Më pare, trajnimet për integritetin e hulumtimit janë mbajtur në TURNITIN, si dhe në seminare të ndryshme me ekspertë ndërkombëtarë që janë marrë me strategjitë e publikimit dhe shkrimet akademike për botim. Në veçanti, profesorë nga shkollat doktorale të Universitetit të Gentit kanë vizituar Kolegjin AAB si personalisht, ashtu edhe virtualisht gjatë shpërthimit të pandemisë. Fokus deri më tani ka qenë shkëmbimi i praktikave të mira kërkimore dhe strategjive të publikimit.