“Lufta për liri është e domosdoshme, por shpeshherë e pamjaftueshme pa ndihmën e aleatëve”, theksoi ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, derisa mbajti ligjëratën me temën “Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtetndërtimin e Kosovës”, në Kolegjin AAB.
Çitaku u shpreh e nderuar që ishte prezente në një audiencë të spikatur, ndërsa kujtoi historikisht periudhat kur SHBA ka dëshmuar se janë aleati më i madh i Kosovës. Ish-ambasadorja nisi ligjëratën duke vlerësuar përpjekjet e SHBA për të ndihmuar Kosovën që nga koha e luftës, deri në paqe dhe liri.
Si mesazh për studentët e Kolegjit AAB, ajo shtoi se duhet të jetë ruajtja dhe kultivimi i marrëdhënieve me aleatët, miqtë dhe shtetet që ndihmojnë vendin tonë. “Kosova shihet si një ndër sukseset më të mëdha të politikës së jashtme amerikane, andaj kjo mbështetje nuk duhet marrë si e mirëqenë, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Çitaku ndër të tjera.
Studentët e Fakultetit të Administratës Publike të Kolegjit AAB patën pyetje për ish ambasadoren në lidhje me mesazhin që ka ajo për rininë, përvojën si diplomate, vështirësitë dhe përparësitë e grave në politikë etj.