Aktivitetet e Kolegjit AAB në kuadër të shënimit të Javës Globale të Ndërmarrësisë, vazhduan edhe me një tryezë diskutimi, të organizuar në degën e Gjakovës.
Të fokusuar në nxitjen e të bërit biznes edhe nga gratë, tryeza e mbajtur në degën e AAB-së në Gjakovë, shtjelloi nevojat dhe sfidat e grave ndërmarrëse për qasje në burimet e financimit.
Në këtë panel diskutimi, e ftuara Vlora Avdiu Burani, analiste e bizneseve në BERZH, prezantoi programin “Gratë në Biznes” dhe të gjithë mekanizmat që janë në dispozicion për zhvillim dhe financim të një biznesi me fokus të veçantë atyre të udhëhequra nga gratë. Ajo tregoi se ky program ka filluar të implementohet në Kosovë tash e katër vjet dhe se do të vazhdoje edhe në katër vitet e ardhshme me mbështetje nga qeveria suedeze. Programi mundëson qasjen në financim përmes bankave lokale që ofrojnë linja të kredisë të dedikuara për NVM-të të drejtuara nga gratë, si dhe këshilla për biznese për t’ i ndihmuar ato të bëhen më konkurruese. Gjithashtu ofrohen trajnime, këshillime dhe mbështetje të tjera për t’ i mundësuar grave ndërmarrëse të shkëmbejnë përvojat dhe të mësojnë nga njëra-tjetra.
Znj.Burani gjithashtu bëri të ditur se në kuadër të programit “Gratë në biznes”, pikërisht në Javën e Ndërmarrësisë është organizuar edhe trajnimi “Mediat sociale” ku janë duke u trajnuar 20 femra ndërmarrëse, të cilat pritet që pas këtij trajnimi profesional të jenë të gatshme të krijojnë dhe të mirëmbajnë faqet e tyre në mediat e ndryshme sociale dhe të jenë prezente online duke rritur kështu numrin e klientëve dhe zgjerimin e biznesit.
Nga ana tjetër, Abetari Domi, bashkëpronare e kompanisë Jiro.com, tha se për ta pasur një biznes fillimisht duhet ta duash atë, dhe kjo të bën të jesh e suksesshme. “Kurrë nuk ka qenë më lehtë se sot të jesh më afër informacionit, dhe këtë e bënë ndikimi i teknologjisë. Kjo, përvoja nga biznesi familjar dhe dëshira për t’ u marrë me fushën e teknologjisë më kanë shtyrë të jem pjesë e sektorit të biznesit”, tregoi Domi.
Ajo tregoi gjithashtu se ka qenë e punësuar edhe në sektorin publik, që është synim i një pjesë të konsiderushme të të rinjve, por që sipas saj dallimi është i madh të jesh i angazhuar në biznesin tënd dhe te punosh ne publik.
Duke folur për mbështetjen financiare në zhvillimin e biznesit, Domi tregoi se burimet mbështetëse i ka gjetur tek BERZH e cila ka ofruar konsulencë aq efikase duke e ndihmuar që biznesi i saj të performojë suksesshëm.
Në këtë diskutim, studentët u inkurajuan që të ndërtojnë idetë e tyre dhe të punojnë drejt realizimit të tyre, sepse fondet dhe mbështetja ekziston.