MBAHET PUNËTORIA PËR IDENTIFIKIMIN E NEVOJAVE STRATEGJIKE TË KOLEGJI AAB PËR PROJEKTET ERASMUS+ DHE HORIZON EUROPE

16 Tetor 2025

Zyra për Zhvillimin e Projekteve organizoi një punëtori, me pjesëmarrës menaxhmentin dhe dekanatet e Kolegjit AAB, për identifikimin e nevojave dhe prioriteteve strategjike që mund të adresohen përmes projekteve zhvillimore në programet Erasmus+ dhe Horizon Europe 2026.

Pjesëmarrësit diskutuan ide konkrete që lidhen me modernizimin e arsimit të lartë, zhvillimin e kërkimit shkencor, inovacionin digjital, përmirësimin e arsimit mjekësor dhe juridik, forcimin e kulturës fizike, si dhe ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës.

Fjalën hyrëse e pati zv. Rektori Prof. Dr. Ilir Bytyçi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se qëllimi i kësaj punëtorie, përveç identifikimit të prioriteteve strategjike të Kolegjit AAB, është të forcojë gjithashtu kapacitetet institucionale, të nxisë bashkëpunime ndërkombëtare dhe të mbështesë përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në mësim, kërkim dhe zhvillim.

Në përfundim të punëtorisë, u ideuan nëntë koncepte projektesh, që do të shërbejnë si bazë për aplikimet e ardhshme të Kolegjit AAB në fushat e arsimit, drejtësisë, shëndetësisë, ekonomisë, administratës publike dhe zhvillimit institucional.

Duke u mbështetur në suksesin e aplikimeve të viteve të kaluara, ku AAB ka qenë partner dhe koordinator në disa projekte ndërkombëtare të financuara nga BE, kjo punëtori shënon një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të strategjisë së re për zgjerimin e pjesëmarrjes në thirrjet evropiane gjatë vitit 2026.

Share: