Kolegji AAB bashkorganizator i konferencës “Sfidat e zhvillimit në një shoqëri që ndryshon: Gjetje nga studime me adoleshentë dhe të rinj”

5 Dhjetor 2016

Në Tiranë, sot i mbylli punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare  “Sfidat e zhvillimit në një shoqëri që ndryshon: Gjetje nga studime me adoleshentë dhe të rinj”, organizuar  nga  Kolegji AAB, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës.

Në hapje të punimeve të konferencës, dekanja e Fakultetit të Psikologjisë të Kolegjit AAB, dr. sc. Merita Shala, aktivitetin në fjalë e cilësoi si aktivitete me karakter profesional dhe shkencor, duke theksuar se: “Kolegji AAB krahas procesit mësimdhënës, një rëndësi të veçantë i jep edhe aspektit të kërkimit shkencor, duke shprehur kështu gatishmërinë  për organizime të tilla në promovimin e dijes dhe shkencës”.

Ndryshimet  e shpejta sociale, kulturore, teknologjike, ekonomike dhe demografike të viteve të fundit,  të cilat po paraqesin sfida të reja dhe po ofrojnë mundësi të reja për adoleshentët dhe të rinjtë ishin thekset kryesore në fjalimet e bashkorganizatorëve dhe komitetit shkencor.

Përveç seancës plenare dhe asaj përmbyllëse, punimet e konferencës u zhvilluan edhe në  disa sesione paralele, ku prezantuan një numër i madh i pjesëmarrësve – studiues dhe profesionistë nga fusha e psikologjisë, në mesin e të cilëve edhe  anëtarë nga stafi akademik dhe  grupi i hulumtuesve të rinj – studentë të Fakultetit të Psikologjisë të Kolegjit AAB.

Ky aktivitet shkencor përveçqë zgjoi interes te studiuesit nga fusha e psikologjisë shërbeu edhe si një urë lidhëse midis studiuesve nga vende të ndryshme dhe u shkëmbyen eksperienca, si dhe u krijua një rrjet për bashkëpunime të mëtejshme.

Si produkt i kësaj konference u botua edhe përmbledhja e abstrakteve të punimeve shkencore të prezantuara në konferencë.

 

BOOK OF PROCEEDINGS

Share: