Kompania Trankos, në bashkëpunim me Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Kolegjin AAB, organizuan konferencën me titull: “Perspektiva e përkthimit – Ura mes akademisë dhe tregut”. Kjo ngjarje pati si qëllim shkëmbimin e ideve, njohurive dhe zhvillimeve të fundit në fushën e përkthimit dhe interpretimit, duke i bërë bashkë akademinë, zyrën e komisionerit për gjuhë dhe vetë përkthyesit.
Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu-Rogova e përshëndeti këtë aktivitet në cilësinë e nikoqires dhe u shpreh se aktivitetet e tilla u shërbejnë si universiteve, ashtu edhe industrisë. Prof. Aida Alla, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Kolegji AAB, ndau praktikat e mira që kolegji ka me industrinë, duke përmendur konsultimet e vazhdueshme për hartimin e planprogramit, realizimin e praktikave profesionale të studentëve, si dhe krijimin e infrastrukturës për implementimin e kurseve që kanë në fokus teknologjinë në përkthim.
Komisioneri për Gjuhë, Z. Slavisa Mladenovi, foli për shumëgjuhësinë në Kosovë si obligim kushtetues dhe shpalosi disa të dhëna që zyra e tij i ka konstatuar në terren.
Drejtori i kompanisë TranKos, Afrim Hyseni, shpjegoi në mënyrë më praktike se si teknologjia i ka ndryshuar kompetencat që përkthyesi duhet të këtë në ditët e sotme. Aktiviteti vazhdoi me diskutime me profesorët dhe përkthyesit e pranishëm në sallë.