Një sërë veprimtarish me interes të përbashkët ka bashkuar Kolegjin AAB me Komunën e Rahovecit. Këto dy institucione nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ndërinstitucional në sferat që ndihmojnë njëra tjetrën.
Të dy institucionet, nëpërmjet kësaj marrëveshje të nënshkruar nga zv/rektori i Kolegjit AAB, z. Shemsedin Vehapi dhe kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi, pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme për promovimin e arsimit cilësor nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta.
Zv/rektori Vehapi falënderoi kryetarin Latifi për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me Kolegjin AAB, duke i thënë se ky institucion do të angazhohet me të gjitha kapacitetet që ka që kjo marrëveshje bashkëpunimi të gjejë implementim sa më të suksesshëm.
Në anën tjetër, kryetari Latifi e falënderoi Kolegjin AAB për krijimin e mundësisë për bashkëpunim dhe se nga kjo marrëveshje, Komuna e Rahovecit do të shfrytëzojë potencialin akademik si dhe të gjitha mundësitë e tjera që ofron ky institucion të cilat janë në interes të qytetarëve të kësaj komune.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi përfshinë edhe kryerjen e punës praktike për studentët e Kolegjit AAB në institucionet/departamentet, drejtoritë, agjencitë, institucionet shkollore dhe parashkollore të Komunës e Rahovecit e vizita të ndërsjella të të dy institucioneve.
AAB me këtë marrëveshje, do të ofrojë bursa të plota për nxënësit më të mirë Komunës e Rahovecit, në cilindo nga programet e studimit, si dhe pika të tjera që janë në interesin e përbashkët ndërinstitucional.
Kolegji AAB si investimi më i madh në Kosovë e më gjerë në sferën e arsimit të lartë jopublik, deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa komuna si dhe shumë institucione e organizata të tjera vendore e ndërkombëtare, ku studentët e këtij kolegji në vazhdimësi kryejnë praktikat profesionale nëpër këto institucione.