Kolegji AAB dhe UP, vlerësohen dy institucionet më të mira të arsimit të lartë në Kosovë nga Webometrics

12 Shtator 2017

Kolegji AAB, me një ngritje prej 1400 pozitash në listën e rreth 30 mijë universiteteve e institucioneve të arsimit të lartë në botë, bashkë me Universitetin e Prishtinës i cili ka pasur një rënie të lehtë nga pozita e edicionit të kaluar, edhe në edicionin e muajit korrik dalin të jenë dy institucionet më të mira të arsimit të lartë në Kosovë sipas matjeve të Webometrics.

Webometrics është ranglista më gjithpërfshirëse e vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë në të cilën numri i institucioneve që vlerësohen është rreth 30 mijë. Që nga vlerësimet e janarit 2017, në këtë ranglistë janë përfshirë edhe institucionet e arsimit të lartë në Kosovë që nuk ishin pjesë e vlerësimeve të mëhershme, por rezultati i arritjeve të tyre ka një shkëputje të dukshme krahasuar me AAB-në dhe UP-në.

Webometrics ka filluar të konsiderohet si një nga ranglistat më të rëndësishme botërore sepse ndjek trendet e transformimit të arsimit të lartë me mbështetjen e teknologjisë së komunikimit e informimit. Rangimi sipas Webometrics merr për bazë njohjen e nivelit të mirë të punës shkencore të botuar, si dhe përmbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit nga burimet elektronike nga institucionet përkatëse.

Webometrics është ranglistë e grupit hulumtues Cybermetrics Lab, që është pjesë e institucionit më të madh kërkimor publik në Spanjë, Këshillit të lartë për kërkime shkencore (CSIC).

Në top universitetet botërore, listës i prijnë universitetet amerikane, të udhëhequr nga Universiteti i Harvardit, ndërsa më së larti në Evropë është ranguar Universiteti i Oksfordit.

Share: