Kolegji AAB dhe OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” (VoRAE) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim mbështetjen e studentëve nga këto komunitete gjatë studimeve universitare.
Marrëveshja krijon një kornizë për zhvillimin dhe zbatimin e mekanizmave mbështetës për përmirësimin e suksesit akademik, rritjen e përfshirjes në jetën universitare dhe përgatitjen për tregun e punës. Qendra e kësaj iniciative është një qasje afirmative që synon ngushtimin e hendekut arsimor të krijuar nga përjashtimi dhe diskriminimi sistematik.
Bashkëpunimi përfshinë:Mentorimin mes studentëve (peer mentoring);Tutorimin akademik dhe profesional; Orientim në karrierë dhe zhvillim profesional;Aktivitete integruese për nxitjen e përfshirjes aktive në jetën universitare
VoRAE do të ofrojë mbështetje metodologjike dhe këshillimore, duke ndarë praktikat më të mira për përfshirjen arsimore dhe fuqizimin e komuniteteve, si dhe duke ndihmuar në identifikimin e nevojave të studentëve dhe zhvillimin e qasjeve efektive për mbështetjen e tyre.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të mbështetjes për studentët dhe krijimit të një sistemi më gjithëpërfshirës dhe të barabartë në arsimin e lartë.

