Kolegji AAB filloi punimet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare në fushën e medias

23 Shtator 2017

Në Kolegjin AAB kanë filluar punimet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Historia e medias dhe transformimet mediatike”.
Këtë Konferencë, Kolegji AAB e ka organizuar në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit – FHF – Universiteti i Tiranës, Università per Stranieri di Perugia, Itali, Departamentin e Letërsisë dhe Gazetarisë – Universiteti i Elbasanit, Departamentin e Komunikimit – Universiteti Bedër-Tiranë, School of Journalism and Public Relations, Shkup dhe Institute of Communication Studies – Shkup.
Hapjen e punimeve të kësaj konference e bëri zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, i cili në fjalën e tij tha se, që nga themelimi, AAB është e përkushtuar për zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimit me institucionet e arsimit nga rajoni dhe më gjerë.
“Këtë e dëshmon edhe ky rrjet i gjërë bashkëpunimi dhe përfshirja e një numri të madh i hulumtuesve në këtë konferencë. Kjo tregon për rëndësinë që i kushtohet edukimit cilësor për t’u siguruar që krahas procesit të mësimdhënies të zhvillohet edhe komponenti shkencor”, tha Vehapi.
Ai tha se, përmes këtyre organizimeve, përveç rritjes së mundësive për mobilitet, të studentëve dhe personelit akademik, në fokus të veçantë për Kolegjin AAB, është ngritja e komponentes shkencore dhe se kërkimi shkencor, sot përbën një sfidë globale, përbën forcën më të madhe zhvilluese.
“Sot njerëzimi ka nevojë për përgjigje, rekomandime shkencore për çështje të rëndësishme dhe madhore. Po ashtu, gjithmonë duke pas parasysh objektivat e kësaj konference dhe përvojën e pjesëmarrësve të përfshirë në diskutime, jam i bindur se sot do të kemi diskutime të frytshme dhe të hollësishme, të cilat do të mundësojnë shkëmbimin e informacioneve, ideve, mendimeve dhe propozimeve për të promovuar edhe më tej fushën e komunikimit dhe nevojën e transformimit të saj në hap me zhvillimet e reja teknologjike”, tha zv.rektori i Kolegjit AAB, Shepmsedin Vehapi.

Ndërkaq, drejtuesi i departamentit të gazetarisë në Universitetin e Tiranës, dr. Mark Marku, në fjalën e tij tha se me Kolegjin AAB kanë hapur një proces të gjatë bashkëpunimi, i cili prej kohësh është një proces i frytshëm, pasi që sipas tij, rritë komunikimin në hapësirën shqipfolëse në Ballkan.
“Unë e shikoj shumë të rëndësishme këtë konferencë. Ne vërtetë jemi bashkëpunëtor në organizimin e kësaj konference, por kontributin kryesor e ka Kolegji AAB dhe mendoj që vet tematika e kësaj konference është me rëndësi për zhvillimet, qoftë ato shoqërore ashtu edhe ato mediatike, jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në nivel global”, vlerësoi prof. Marku.
Lidhur me temën e kësaj konference, prof. Mark Marku, tha se është e vështirë që të historizosh një proces kaq dinamik siç është zhvillimi teknologjive të reja të komunikimit, por vazhdon ai, “nga pikëpamja mtodike, mendoj që në momentin që ne do kalojmë në procesin e historizimit të procesit, do të duhet që të studiohet vetë procesi dhe menoj që çdo kontribut në studimin e dukurive të procesit është shumë i rëndësishëm për historizimin e më vonshëm të procesit që po kalojnë shoqëria, mediat, teknologjitë e kështu me radhë”.

Fjalë rasti në këtë konferencë mori edhe drejtoresha e Arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Drita Kadriu, e cila tha se kjo konferencë është jnë kontribut i madh për vendin, pasi që sipas saj, në arsimin e lartë në Kosovë kanë ngecje shumë të mëdha në përdorimin e teknologjisë në fushën e komunikimit.
Konferencat e tilla, sipas drejtoreshës Kadriu, kanë ndikim të madh në zhvillimin e masmediave dhe mediave sociale në Kosovë.Ajo tha se synojnë që edhe Kosova të jetë në nivel të njëjtë me vendet tjera në fushën e komunikimit dhe medias.

Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Historia e medias dhe transformimet mediatike” në Kolegjin AAB, e përshëndetën edhe bashkë organizatorët, Rolando Marini nga Università per Stranieri di Perugia në Itali, Zaneta Trajkovska nga Shkolla e Gazetarisë dhe Marrëdhënieve Publike në Shkup dhe Ramadan Çipuri nga Universiteti Bedër.

Punimet e pjesëmarrësve në këtë konferencë do të prezentohen gjatë ditës së sotme në sesione të ndara në Kolegjin AAB. 

 

Share: