Në Kolegjin AAB është mbajtur takimi nismëtar për bashkëpunim me përfaqësuesin për Kosovë të Fondit të Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF-in), James Mugaju.
Ky bashkëpunim në mes të dy palëve planifikohet të fillojë në fushat mjekësore me qëllim të ngritjes së edukimit shëndetësor në Infermieri dhe në fushën e Hulumtimeve Shkencore, e në të ardhmen të zgjerohet edhe në shumë fusha të tjera.
Sipas z.Mugaju, për UNICEF-in ky bashkëpunim paraqet zgjerimin e aktiviteteve të tyre edhe në institucionet jopublike të edukimit, me qëllim të arritjeve sa më të mëdha të studentëve. Gjithashtu ky bashkëpunim mëton t’ i kontribuojë rinisë kosovare në edukimin për të drejtat e tyre, në zhvillimin e vullnetarizmit dhe sfera të tjera të rëndësishme për zhvillimin dhe ngritjen e tyre sa më të shëndetshme.
Përfaqësuesi i Zyrës së UNICEF-it, z. Mugaji në Kosovë u prit nga stafi akademik i Kolegjit AAB dhe prorektori Shemsedin Vehapi, i cili përveç që shprehu kënaqësinë për këtë bashkëpunim, tregoi edhe gatishmëri për të përkrahur edhe projekte të tjera të kësaj natyre, pasi që beson se bashkëpunimet e tilla janë gjithmonë të duhura për ngritjen profesionale të studentëve.