Një delegacion nga Universiteti “Josip Jurij Strossmayer” nga Osijeku i Kroacisë, të përfaqësuar nga prodekani i Fakultetit Ekonomik, Doc.dr. Ivan Kristek, si dhe profesorët Zelko Pozega e Sasa Sakic, qëndruan sot për vizitë në Kolegjin AAB.
Qëllimi i kësaj vizite ishte bashkëpunimi i ndërsjellë institucional, ndërsa prorektori për Çështje Akademike i Kolegjit AAB, Prof.ass.dr. Shemsedin Vehapi, bëri të ditur se ky bashkëpunim ndëruniversitar do të konkretizohet së shpejti me organizimin e konferencave të përbashkëta, vizitave studimore, si dhe projekteve të ndryshme hulumtuese.
Ndërsa, dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof.ass.dr. Shaip Bytyqi, theksoi rëndësinë e vizitës nga një delegacion i këtillë i rëndësishëm si Universiteti JJS nga Osijeku, duke nënvizuar gjithashtu edhe qëndrimet e akademikëve kroatë për të arriturat dhe kushtet që ofrohen në AAB, sidomos me programet e studimit, teknologjinë moderne, infrastrukturën, personelin akademik dhe me arritjet e studentëve.
Nga ana tjetër, prodekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Josip Jurij Strossmayer” nga Osijeku, duke shprehur qëndrimet e tij për vizitën në AAB, në mes tjerash tha: “Kam mbetur pa fjalë! Çdo investim dhe sukses i këtij Kolegji padyshim është puna e madhe që ju, stafi, në bashkëpunim më studentët keni arritur ta bëni. Infrastrukturë brilante, ambiente të mrekullueshme për studentët… Ky universitet i bën konkurencë çdo universiteti tjetër botëror”, theksoi Kristek.
Vizita e sotme e përfaqësuesve të Universitetit të Osijekut do të pasohet nga vizita e përfaqësuesve të Kolegjit AAB në Kroaci, me ç’ rast pritet të konkretizohet edhe marrëveshja e bashkëpunimit të ndërsjellë universitar.