Kolegji AAB mbajti mbrëmje poetike për nderë të Ditës Botërore të Poezisë

21 Mars 2017

Për nder të 21 Marsit, Ditës Botërore të Poezisë, mbrëmë në AAB Teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, u mbajt mbrëmje poetike, ku studentë dhe pedagogë të këtij Kolegji lexuan poezi të ndryshme të poetëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë.

Hapjen e kësaj mbrëmje e bëri  prof. Hysen Kasumi, i cili në fjalën e tij tha se “qëllimi i Ditës Botërore të Poezisë është përkrahja e leximit të poezisë, nxitja e krijimtarisë poetike, botimi i saj, si dhe krijimi i një atmosfere mikpritëse për praninë poetike kudo në botë”.

Ndërkaq, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se ajo që i ka bërë përshtypje vazhdimisht është se mbrëmë ka qenë edhe Dita Ndërkombëtare e Lumturisë.

“Ajo që më ka provoku vazhdimisht është se pse Dita e Poezisë është një ditë pas Ditës së Lumturisë? A përfundon lumturia aty ku fillon poezia apo fillon poezia aty ku përfundon lumturia? Më së miri përgjigjen na e ka dhënë sot Kolegji AAB, që i ka bërë bashkë sot Ditën e Lumturisë dhe Natën e Poezisë. Edhe pse ky institucion është themeluar si institucion i arteve dhe në një ditë si kjo, edhe si poet, unë nuk mund të mos i kujtoj disa poetë tanë të njohur që fatkeqësisht nuk janë më në mesin tonë. Para pak kohe ne humbëm edhe Dritëro Agollin, ndërsa këto vitet e fundit Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Mirko Gashin, Din Mehmetin, Rrahman Dedajn dhe të tjerë poetë, pothuajse përfaqësuesit kryesorë të poezisë shqipe”, tha rektori Tafa.

Sipas tij, për poezinë nuk ka nevojë të flitet, sepse për të flasin ata që e shkruajnë, pra poetët janë ata që e interpretojnë, të cilët janë aktorët dhe ata që e shijojnë që janë lexuesit.

Ai ka lexuar edhe një poezi të poetit Ali Podrimja, të cilin e ka quajtur poetin më të mirë të të gjitha kohërave të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.

Ai pranë dritares

nuk jam unë

është jote ëmë

që të kërkon në turmë

ai në fund të dhomës

nuk jam unë

është yt vëlla

që përmallshëm fyellit i bie

ai pranë pasqyrës

nuk jam unë

është jote motër

që flokët shkurton

Lum Lumi

unë jam ai që derën hap.

Në këtë mbrëmje poetike në Kolegjin AAB, studentë dhe pedagogë të këtij kolegji, interpretuan disa poezi të autorëve shqiptarë, si dhe të atyre ndërkombëtarë.

Dita Botërore e Poezisë është shpallur nga UNESCO që nga viti 1999. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

Në të njëjtën kohë, caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë bëhet edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.

Share: