Në kuadër të shënimit të 12 Dhjetorit, Ditës Botërore të Mbulimit Universal Shëndetësor, Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB zhvilloi një tryezë diskutimi me temën “Shëndet për të gjithë-mbaje premtimin”.
Në hapje të tryezës, zv.rektori Shemsedin Vehapi foli për kontributin që jep Kolegji AAB në të mirë të komunitetit: “Shëndeti i mirëfilltë qëndron në preventivë. Kolegji AAB ka ndërmarrë iniciativa të ndryshme në bashkëpunim me fakultetin e sportit dhe programeve shëndetësore që kanë promovuar mënyrën e shëndetshme të të jetuarit përmes fotove, informacioneve, ilustrimeve të cilat na përkujtojnë që e kemi harruar kujdesin shëndetësor ndaj vetvetes”.
Ndërsa panelistja Majlinda Gjocaj, shpalosi detaje mbi faktorët të cilët ndikojnë në mbulimin universal shëndetësor dhe për arsyen e shënimit të kësaj dite në këtë datë. “Data 12 dhjetor shënohet si Dita Botërore e Mbulimit Universal Shëndetësor, për t’ iu referohet kujtesës në mënyrë që askush të mos jetë mbrapa edukimit shëndetësor. Motoja e cila e karakterizon këtë ditë për këtë vit është “Mbaje Premtimin” që nënkupton se duhet ta kemi parasysh që të gjithë kemi nevojë për shëndet. Disa prej faktorëve nga të cilët ndikohet mbulimi universal shëndetësor janë: demografia, epidemiologjia, kultura dhe historia, aspektet social-ekonomike, kërkesat për shërbime dhe burime të disponueshme”.
Prof. dr. Lulzim Qela, shpalosi statistikat në lidhje me mbulimin universal shëndetësor në Kosovë dhe për vendet e rajonit. Po ashtu, ai tregoi për kornizën ligjore në të cilën mbështetet mbulimi universal shëndetësor dhe kujt i referohet.
“Gjysma e popullsisë në botë ende nuk kanë mbulim të plotë të shërbimeve shëndetësore. Ndërsa në Kosovë, në aspektin financiar dhe të shërbimeve që ofrohen kemi mungesa të mëdha. Kosova hyn në grupin e shteteve që kanë të hyra mesatare të larta në aspektin shëndetësor”, tha Qela.
Edhe studentët e pranishëm u bënë pjesë e diskutimit me angazhimin e tyre përmes pyetje e komenteve të shtruara në këtë tryezë diskutimi..
Vlen të përmendet se, Norvegjia mban vendin e parë për mbulim shëndetësor në Evropë pasi 90% e shpenzimeve kryhen nga shteti.