Kolegji AAB në partneritet me: Universitetin “Aleksandër Moisiu” – Durrës, “FON University” – Maqedoni, Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Osjekut – Kroaci, Instituti për Hulumtime Shkencore dhe Zhvillim – Ulqin, organizoi Konferencën e II-të Ndërkombëtare – “Qëndrueshmëria ekonomike e vendeve të Ballkanit dhe sfidat euro integruese”, në të cilën mblodhi mbi 100 studiues nga vendi, rajoni dhe Evropa.
Hapjen e kësaj konference e bëri prorektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, i cili në fjalën e tij tha se edhe këtë vit, si në vitin e kaluar, kanë vendosur që fokusi i vëmendjes së kësaj konference të jetë stabiliteti ekonomik dhe rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian si rajon në tërësi.
Ai tha se në fazën që gjendet Kosova, por edhe vendet e rajonit kanë sfidat e kapërcyeshme përpara, ndërsa sipas tij, stabiliteti ekonomik nuk paraqet vetëm një kriter evropian për t’u vlerësuar, por paraqet edhe një perspektivë të sigurt për mirëqenien e të gjithëve.
Sipas prorektorit Vehapi, puna shkencore çon në zgjidhjen e shumë nga problemet e rëndësishme me të cilët shoqëria e jonë përballet, që një nga to është edhe rritja e zhvillimit ekonomik.
“Për Kolegjin AAB, i cili është investimi më i madh i jopublik në mjediset shqiptare dhe në rajon, i cili numëron afër 20 mijë studentë dhe ka të punësuar afër 700 personel akademik, kërkimi shkencor paraqet komponentë themelore, duke bërë përpjekje që në rend të parë për studentët tanë, të ndërlidhim mësimdhënien me kërkimin shkencor, por edhe me organizimin e konferencave shkencore, me partnerë të ndryshëm të ndihmojmë shoqërinë tonë me gjetjet dhe rekomandimet e hulumtimeve tona”, theksoi prorektori Vehapi.
Ai shtoi se vetëm takimet e këtilla, të profilizuara për të bashkëndarë eksperiencat dhe gjetjet shkencore, si dhe aplikimi i tyre në shoqëri, mund ta përmirësojnë përditshmërinë tonë.
Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se “konferenca si kjo na rikujtojnë se ne jetojmë në një rajon ku i ndajmë shumë karakteristika të përbashkëta, në të cilin i ndajmë të mirat, por edhe sfidat, prandaj duhet që sa më shpesh t’i diskutojmë bashkërisht të gjitha çështjet e rëndësishme ku mund të jemi efektiv në adresimin e tyre”.
Sipas tij, ekonomitë e rajonit në përgjithësi kanë arritur të rikuperohen nga efektet e krizës së fundit globale, megjithatë ai pohon se, konsulidimi fiskal në këto vende vazhdon të jetë shumë i nevojshëm për të krijuar një hapësirë më të madhe fiskale e cila do të zvogëlonte rreziqet dhe do të krijonte mundësi më të mëdha për të shfrytëzuar buxhetin shtetëror për aktivitetet më produktive.
“Aktualisht, norma mesatare e borxhit publik në raport me bruto produktin vendor në vendet e rajonit është mbi 50%. Në vitet e fundit, vendet e rajonit kanë qenë më të suksesshme në rritjen e të hyrave buxhetore, mirëpo kërkohet një menaxhim më i mirë i shpenzimeve në mënyrë që të përmirësohen financat fiskale dhe shpenzimet të orientohen drejt destinimeve më produktive”, vlerësoi ministri Hamza.
Sa i përket rritjes ekonomike në vendin tonë, minsitri Hamza tha se në bazë të një vlerësimi preliminar për vitin 2017, Kosova ka pasur 3.7% rritje ekonomike, rritje kjo që sipas tij, është më e lartë se mesatarja e rajonit prej 2.4%.
“Kosova bën pjesë në vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon. Pavarësisht kësaj rritje ekonomike, Kosova nuk mund t’i adresojë edhe sfidat e saj kryesore që është deficiti i lartë tregtar dhe norma e lartë e papunësisë”, tha ai.
Ministri Hamza në këtë konferencë e bëri edhe një prezantim për të pranishmi me temën “Qëndrueshmëria Ekonomike në Republikën e Kosovës”, në të cilin përmendi në mënyrë më të detajuar të arriturat e deri tashme, si dhe sfidat më të cilat përballet Kosova sa i përket rritjes së zhvillimit ekonomik.
Fjalën në këtë konferencë e mori edhe prof. dr. Ervin Myftaraj nga Universiteti “Aleksandër Mojsiu” – Durrës, i cili në cilësinë e bashkorganizatorit të kësaj konference shkencore tha se me këtë bashkëpunim me Kolegjin AAB po dëshmohet se këto dy institucione po i shërbejnë rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe avancimit në fushat kërkimore dhe shekcore.
“Kjo konferencë ka për qëllim të forcojë lidhjen dhe të zgjerojë më tej rritjen e bashkëpunimit mbarëkombëtarë dhe ndërkombëtarë midis specialistëve të fushës së ekonomisë, akademikëve të kësaj fushe dhe të gjithë akterëve të sektorit privat dhe publik në fushat e ekonomisë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe më gjerë”, tha Prof. Dr.Ervin Myftaraj.
Poashtu edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, në fjalën e tij tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur një të kaluar me probleme të shumta mes vete, por sipas tij, përmes bashkëpunimit ekonomik mund të shërohen plagët e konflikteve të vjetra.
Fjalën përshëndetëse në këtë konferencë e mori edhe dekani i Fakultetit Ekonimik të Kolegjit AAB si nikoqir i kësaj konference, i cili mes tjerash tha se qëllimi i kësaj konference është që të nxisin debat shkencor ndërmjet ekspertëve, profesorëve, studentëve, kërkuesve, bizneseve të ndryshme, të cilët paraqesin sfida ekonomike me të cilat ballafaqohen përmes formave kërkimore apo të gjeturave shkencore.
Punimet e Konferencës së II-të Ndërkombëtare – “Qëndrueshmëria ekonomike e vendeve të Ballkanit dhe sfidat euro integruese”, kanë vazhduar të prezantohen nëpër sesione të ndara në sallat e Kolegjit AAB, ku më pas janë dhënë edhe certifikata për të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë.
Kolegji AAB deri më tani ka realizuar një numër të madh të projekteve shkencore me partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë.