Kolegji AAB merr lëvdata për mbështetje konkrete të Konventës mbi të Drejtat e Personave me Nevoja të Veçanta

2 Korrik 2018

Përkundër shumë Konventave e Deklaratave Ndërkombëtare të cilat të drejtën për arsim e njohin si të drejtë universale dhe të garantuar, arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta mbetet sfidë për shumë institucione të vendit.

Në tryezën me temë “Shkollimi i personave të verbër dhe me dëmtime pamore në arsimin e lartë universitar – sfidat dhe mundësitë” të mbajtur në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Kolegji AAB u vlerësua si një nga institucionet e rëndësishme të arsimit të lartë në vend, i cili studentëve me nevoja të veçanta u ka ofruar mundësi të barabarta integrimi bashkë me studentët tjerë.

Në tryezën e mbajtur, prodekanja e Fakultetit të Shkencave Sociale nga Kolegji AAB prof. Elizabetë Qarri, ndër të tjerash tha se, AAB ka ndërmarrë veprime konkrete drejt respektimit të të drejtave të barabarta për studentët me nevoja të veçanta.

“Mendojmë se diversiteti i rrethanave personale duhet të pranohet natyrshëm në të gjitha nivelet e arsimit, duke përfshirë këtu edhe arsimin e lartë në Kosovë. Në këtë kontekst, Kolegji AAB ka dhënë modele konkrete studentësh që tashmë kanë përfunduar studimet Bachelor apo Master, të cilat janë edhe të punësuar në institucione. Ne si kolegj, do të vijojmë edhe më tej të ndjekim dhe respektojmë parimin e diversitetit njerëzor, duke mundësuar që studentëve me nevoja të veçanta tu ofrojmë qasje të barabartë dhe jo-diskrimunese brenda institucionit tonë”, tha prodekanja Qarri.

Në tryezë ishte e pranishme edhe ish-studentja e Kolegjit AAB, Diellona Beka, e cila kishte përfunduar studimet Master në Fakultetin e Administratës Publike.

“Jam tejet e lumtur që Kolegji AAB më ka mundësuar që të kryej studimet e larta, falënderoj personelin akademik dhe studentët e fakultetit për përkrahjen e vazhdueshme që më kanë ofruar”, tha ajo.

Diellona aktualisht është e punësuar në Ministrinë e Administratës Publike të Republikën e Kosovës dhe inkurajon pjesëtarët e tjerë të komunitetit të saj që të ndjekin ëndrrën e tyre duke besuar në fuqizimin e dinjitetit dhe vlerësimin njerëzor, që mundëson qasja e barabartë në edukim.

Share: