Kolegji AAB merr pjesë në tryezën kombëtare “Avancimi i grave dhe vajzave në shkencë dhe akademi në Kosovë”  

2 Prill 2026

Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) u mbajt tryeza me temë “Avancimi i grave dhe i vajzave në shkencë dhe akademi në Kosovë”, e cila mblodhi përfaqësuese të institucioneve akademike, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile për të diskutuar sfidat dhe mundësitë për fuqizimin e grave në shkencë dhe lidership akademik.

Gjatë takimit u theksua se investimi në shkencë është një investim në të ardhmen dhe se çdo vajzë që hyn në arsim nuk fiton vetëm një diplomë, por e zë Edhe një hapësirë në shoqëri. U theksua se sfida nuk qëndron në mungesën e vajzave të suksesshme, por në mungesën e hapësirës dhe mundësive për tu avancuar në momentet kyçe të karrierës.

Në diskutime u theksua se përfaqësimi i grave në pozita të larta vendimmarrëse në akademi mbetet i kufizuar, ndërsa hendeku është veçanërisht i theksuar në fushat e inxhinierisë, teknologjisë dhe shkencës. Panelistet theksuan nevojën për politika më të forta mbështetëse, përfshirë mekanizma për mbështetje financiare të kërkimit shkencor, rrjetëzim profesional dhe zbatim të strategjive për barazi gjinore.

Në këtë aktivitet morën pjesë Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Venera Llunji,  dhe profesoreshat Eriona Ajvazi, Roberta Bajrami, Kosovare Ukshini, Teuta Sahatçija ( e cila ishte edhe pjesë e panelit të dytë) dhe Fellenza Pula. Gjatë diskutimit të hapur, ato bashkëbiseduan me përfaqësuese të institucioneve dhe organizatave si UN WomenAgjencia për Barazi Gjinore, si dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Pjesëmarrëset theksuan rëndësinë që iniciativa të tilla të shndërrohen në një platformë të rregullt bashkëpunimi, me rekomandime dhe hapa konkretë për avancimin e grave dhe vajzave në shkencë dhe akademi në Kosovë.

Share: