KOLEGJI AAB MIRËPRET STUDENTËT E RINJ: FILLIMI I NJË RRUGËTIMI TË RI AKADEMIK

1 Tetor 2025

Kolegji AAB ka hapur zyrtarisht dyert për studentët e rinj të vitit akademik 2025/2026 me një ceremoni festive e të frymëzuar, të mbajtur në Teatrin AAB “Faruk Begolli.” Kjo ngjarje krijoi atmosferë të gjallë e të ngrohtë, duke bashkuar studentët, stafin akademik dhe mysafirët e veçantë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, uroi studentët për një rrugëtim të suksesshëm gjatë studimeve të tyre:

“Këtu do të mësoni jo vetëm dije, por edhe qytetari. Do të përgatiteni për një botë të dominuar nga teknologjia dhe inovacioni që ndryshon çdo ditë. Jeta studentore është gjithashtu periudha më e bukur dhe e frytshme e jetës. Do të krijoni miqësi të reja, do të angazhoheni dhe do të merrni pjesë në aktivitetet tona të përbashkëta kulturore, argëtuese e garuese,” theksoi Rektori Olluri.

Kryetarja e Unionit Studentor Riona Bajrami, në fjalën e saj gjatë ceremonisë tha se do ndihmojnë dhe përkrahin studentët në çdo iniciativë që kanë, për ta bërë komunitetin studentor një vend ku ata gjejnë hapësira për të shprehur idetë e tyre.

Ajo ftoi studentët të marrin pjesë në aktivitetet, organizimet dhe punëtoritë e ndryshme që organizohen nga Unioni Studentor dhe fakultetet ku ata studiojnë.  

Ceremonia u pasurua edhe me pika artistike nga këngëtari Arbër Krasniqi, të cilat i dhanë një dimension kulturor të veçantë ngjarjes.

Pas ceremonisë, studentët patën mundësinë të takoheshin me stafin akademik dhe dekanët e fakulteteve përkatëse, si dhe të njiheshin me njëri-tjetrin dhe me programet e tyre studimore.

Kjo ceremoni e mirëseardhjes shënon vetëm fillimin e një rrugëtimi premtues që studentët e rinj nisin së bashku me Kolegjin AAB, ku përsosmëria akademike, inovacioni dhe angazhimi studentor janë në qendër të përvojës arsimore.

Share: