Kolegji AAB, model edhe për universitetet e tjera jashtë Kosovës

29 Korrik 2016

Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, ka thënë se si kolegji më i madh, i pari nga sektori jopublik në Kosovë, i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik 2016-2017. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Tafa ka bërë me dije se risia kryesore për sivjet në Kolegjin AAB, krahas edhe një programi të arteve, është Programi i Infermierisë së Përgjithshme, i cili sivjet nis për herë të parë. Ai ka thënë se Kolegji AAB është shndërruar në institucionin kryesor arsimor dhe kulturor të vendit. “Na vjen mirë që jemi bërë model edhe për universitetet e tjera edhe jashtë Kosovës, sidomos për këto të rajonit”, ka thënë Lulzim Tafa.

Albulena S. MAVRAJ

Kolegji AAB për vitin akademik 2016-2017 i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik. Kështu ka thënë rektori i Kolegjit  AAB në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”. Tafa ka thënë se sivjet për herë të parë në Kolegjin AAB do të jetë edhe Programi i Infermierisë së Përgjithshme, në të cilin program do të ketë të angazhuar staf vendor dhe ndërkombëtar. “Risia kryesore për sivjet, krahas edhe një programi të arteve, është Programi i Infermierisë së Përgjithshme, i cili sivjet nis për herë të parë. Ne kemi angazhuar një staf kompetent vendor dhe ndërkombëtar të fushës së infermierisë, gjithashtu jemi pajisur edhe me laborator dhe pajisje të tjera të fjalës së fundit të fushës së infermierisë”, është shprehur ai.

Rektori Tafa ka treguar se numri i studentëve të cilët do të pranohen këtë vit në këtë kolegj do të jetë i kufizuar. “Sivjet ka një risi në vendimet e Agjencisë së Akreditimit. Vendimet përmbajnë edhe kuotat e pranimit. Ne jemi duke i analizuar ato kuota dhe kapacitetet e tona, por numri i studentëve do të jetë i kufizuar”, ka deklaruar Tafa. Ai ka bërë me dije se Kolegji AAB ka shtuar kapacitete infrastrukturore dhe resurset humane. “Sivjet ne kemi inauguruar edhe objektin e ri, që ne në AAB, e quajmë objekti 5, që ka një hapësirë mbi 15 000 metrash katrorë. Pra, është një objekt ultra modern”, është shprehur rektori Tafa.

Në këtë intervistë rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, ka folur dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar që ka ky kolegj me institucionet ndërkombëtare për shkëmbimin e studentëve dhe të stafit akademik. “Ne kemi një bashkëpunim të mirëfilltë me shumë universitete të njohura ndërkombëtare, me disa prej të cilave në të kaluarën kemi pasur edhe diploma të dyfishta, por bashkëpunime kemi edhe në fushën e mobilitetit të studentëve dhe shkëmbimit të stafit akademik. Kemi bashkëpunim edhe në fushën e botimeve të përbashkëta, por edhe në fusha të tjera. Madje jemi të vetmit që jemi anëtarë të ‘Magna Karta Universitatum’”, ka thënë Tafa.

 

“Epoka e re”: Z. Tafa, jemi në prag të regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2016-2017. Sa jeni përgatitur për pritjen e studentëve të rinj?

Tafa: Po, edhe sivjet Kolegji AAB, si institucioni më i madh, i pari nga sektori jopublik në Kosovë, i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, me këtë edhe përgatitjet për pritjen e studentëve të rinj në të gjitha njësitë tona akademike.Kemi shtuar kapacitete tona, ato infrastrukturore, po ashtu edhe resurset humane. Sivjet ne kemi inauguruar edhe objektin e ri, që ne në AAB e quajmë objekti 5, që ka një hapësirë mbi 15 000 metrash katrorë. Pra, është një objekt ultra modern e, si rrjedhojë e kësaj, mund të them se, ndoshta, si infrastrukturë dhe standard ndërtimi u konkurron universiteteve më të njohura në botë që, përveç amfiteatrove, sallave të mësimit, bibliotekës dhe laboratorëve, ka shumë hapësirë relaksuese për studentë, përfshirë edhe një organizim të mirëfilltë të jetës sociale e, po ashtu, përfshirë edhe jetën kulturore që është e domosdoshme për institucione arsimore, pasi studentët janë në fazën finale edhe të formësimit të tyre profesional, por edhe kulturor. Brenda kampusit ne kemi teatrin që e kemi pagëzuar me emrin e ikonës së kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Faruk Begolli. Po ashtu, kemi kinon, por edhe radiotelevizionin, portalin informativ, gazetën e studentëve, dy palestra shumë të mëdha sportive që i plotësojnë të gjitha standardet për gara profesionale në fusha dhe disiplina të ndryshme sportive, përfshirë edhe qendrën rekreative sportive që ka pishina, fusha tenisi etj.

 

“Epoka e re”: Çfarë risish do të gjejnë studentët këtë vit në Kolegjin AAB?

Tafa: Risia kryesore për sivjet, krahas edhe një programi të arteve, është Programi i Infermierisë së Përgjithshme, i cili sivjet nis për herë të parë. Ne kemi angazhuar një staf kompetent vendor dhe ndërkombëtar të fushës së infermierisë, gjithashtu jemi pajisur edhe me laboratorë dhe pajisje të tjera të fjalës së fundit të fushës së infermierisë.

 

“Epoka e re”: Ju jeni në mesin e kolegjeve private që keni numrin më të madh të studentëve, njëkohësisht keni bërë shumë investime kapitale dhe në resurse humane në AAB. Sa është i vështirë operimi i tillë, marrë parasysh se kemi numër të madh të kolegjeve private në Kosovë dhe universitete publike?

Tafa: Ne jemi kolegji më i madh në Kosovë dhe me përvojë më të madhe në Kosovë nga sektori privat, me mbi një dekadë e gjysmë punë. AAB-ja është shndërruar në institucionin kryesor arsimor të vendit, madje do të thosha jo vetëm arsimor, por duke i pasur parasysh ato që i thashë më lart, edhe institucioni kryesor kulturor i vendit. Na vjen mirë që jemi bërë model edhe për universitetet e tjera edhe jashtë Kosovës, sidomos për këto të rajonit. Sa i përket numrit të madh të institucioneve në Kosovë, do të kisha thënë që ka dy-tre institucione private shumë të mira në Kosovë. Megjithatë, mendoj se ashtu siç ka investuar AAB-ja, ashtu duhet të investojnë edhe kolegjet e tjera. Ka ardhur koha që kolegjet e tjera private të kenë më shumë besim në punën e tyre dhe të investojnë, sepse nëse nuk investon kjo do të thotë, që as vetë të mos kesh besim në projektin tënd. Në sektorin privat shkalla e seriozitetit, në secilën veprimtari, matet me shkallën e investimeve.

 

“Epoka e re”: Cili është bashkëpunimi juaj me kolegjet dhe institucionet ndërkombëtare?

Tafa: Ne kemi një bashkëpunim të mirëfilltë me shumë universitete të njohura ndërkombëtare, me disa prej të cilave në të kaluarën kemi pasur edhe diploma të dyfishta, por bashkëpunime kemi edhe në fushën e mobilitetit të studentëve dhe shkëmbimit të stafit akademik. Kemi bashkëpunim edhe në fushën e botimeve të përbashkëta, por edhe në fusha të tjera. Madje jemi të vetmit që jemi anëtarë të “Magna Karta Universitatum”.Po ashtu, kemi një zyrë që e quajmë Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Partneritet, që në këtë plan po bën një punë të shkëlqyer.

 

“Epoka e re”: Sa është numri i studentëve të cilët do t’i pranoni këtë vit?

Tafa: Sivjet ka një risi në vendimet e Agjencisë së Akreditimit, pasi vendimet përmbajnë edhe kuotat e pranimit. Ne jemi duke i analizuar ato kuota dhe kapacitetet e tona, por numri i studentëve, gjithsesi, do të jetë i kufizuar.

 

“Epoka e re”: Ju e botoni edhe revistën “Thesis”, e cila është revistë kërkimore ndërkombëtare. Sa ka interesim nga studiuesit për të botuar në këtë revistë?

Tafa: Po, ne e kemi revistën ndërkombëtare shkencore “Thesis”, me numër ndërkombëtar, pra me ISSN. Mirëpo, edhe pse kemi pasur shumë vështirësi për shkak të disa kritereve që duhen plotësuar për këto revista, e që lidhen me statusin e Kosovës, pasi Kosova ende nuk është shtet anëtar i OKB-së, ka qenë pengesë e vazhdueshme e sigurimit të ISSN-së, por duke shfrytëzuar partneritetet tona, e kemi siguruar kodin e ISSN-së, në fillim nga partnerët tanë sllovenë, kurse tani aktualisht e kemi me Kroacinë. Natyrisht se revista ka një këshill redaktues ndërkombëtar, me emra të njohur të fushës akademike dhe shkencore.

 

Share: