Kolegji AAB nderohet me pllakatën ‘’Jean Monnet’’ për modulin e suksesshëm Erasmus+ nga Komisioni Evropian

5 Shtator 2022

Agjencia ekzekutive e arsimit, audiovizive dhe kulturës në kuadër të Komisionit Evropian në shenjë falënderimi ka nderuar Kolegjin AAB, me një pllakatë të veçantë ‘’Jean Monnet’’, për aktivitetet dhe zhvillimin e modulit Erasmus+ gjatë vitit 2021.

Kjo pllakatë sipas agjencisë ka rol të dyfishtë, pasi në rend të parë tregon cilësinë në studimet e integrimit evropian dhe arritjet e modulit Erasmus+ nga Kolegji AAB. ‘’Qëllimi i kësaj pllakate është i dyfishtë. Ajo shërben kryesisht si një etiketë që tregon cilësinë në studimet e integrimit evropian dhe përfaqëson arritjet e modulit tuaj në këtë fushë’’, thuhet në letrën përcjellëse nga kjo agjenci.

Tutje agjencia ekzekutive shtoi se kjo pllakatë gjithashtu do të jetë pikë promovuese për çështjet evropiane, si brenda Kolegjit AAB ashtu edhe jashtë institucionit. Kolegji AAB, në kuadër të programit Erasmus+ iu mundëson studentëve shkëmbimin në universitetet e njohura, nga ku krijojnë përvoja të paharrueshme duke zgjeruar kështu horizonin profesional dhe akademik me njohuritë që ata fitojnë.

Share: