Ambasadorin i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Sh.T. Robert Bosch, është nderuar sot nga Kolegji AAB me titullin “Doctor Honoris Causa” me motivacionin: për përpjekjet e jashtëzakonshme në promovimin e diplomacisë proaktive dhe kontributin unik për demokracinë në Shqipëri dhe në Kosovë.
Në ceremoninë e laurimit morën pjesë ish-Presidentët e Shhqipërisë Alfred Moisiu e Fatmir Sejdiu, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, zv.kryeministri Kujtim Shala, ministrat Ferid Agani, Edita Tahiri, Hikmete Bajrami, deputetët Flora Brovina, Nenad Rashiq, Emilija Rexhepi, shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, shumica e ambasadorëve të akredituar në Kosovë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe profesor dhe studentë.
Prof. dr. Lulzim Tafa, rektor i Kolegjit AAB, në praninë e musafirëve, tha se ndihet i nderuar që ia ndan titullin “Doctor Honoris Causa” Dekanit të Korit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, SH. T Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës, z. Robert Bosch, si titulli më i lartë që e jep ky institucion.
“Që nga themelimi e deri më sot me titullin “Doctor Honoris Cauza”, i kemi nderuar dy personalitete të shquara: Presidentin e Kroacisë z. Stjepan Mesiq, për kontributin dhe përkrahjen e tij të jashtëzakonshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, si dhe Presidentin e Republikës së Hondurasit, kurse sot e nderojmë ambasadorin Bosh për modelin e intelektualit dhe diplomatit që përfaqëson”, tha rektori Tafa. Ai shtoi se propozimi për laurimin e ambasadorit Bosch ka ardhur nga studentët dhe profesorët e Departamentit të Shkencave Politike, në të cilin fakultet kanë mbajtur ligjërata pothuajse të gjithë ambasadorët në vendin tonë.
Ndërsa profesoresha Venera Llunji, në rolin e laudatores, e lexoi arsyetimin e ndarjes së Çmimin “Doctor Honoris Causa”. Ajo tha se si rezultat i angazhimit, përkushtimit dhe punës së tij në përfaqësim të denjë të Mbretërisë së Holandës, në përkrahjen ofruar institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovë, në rrugën e saj për zhvillim dhe ndërtim politik, ekonomik e ndërnjerëzor, mbështetur në statutin e Kolegjit AAB, Senati i Kolegjit ka vendosur që titullin “Doctor Honoris Causa” për merita të veçanta në diplomacinë proaktive në Ballkan, t’ia ndajë ambasadorit të Mbretërisë së Holandës, Sh.T. Robert Bosch.
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Sh.T. Robert Bosch pasi mori çmimin nga rektori Lulzim Tafa, shprehu mirënjohjen e tij, duke thënë se është nder që në profesionin e tij që i jepet një mirënjohje e madhe nga një universitet kaq i madh. “Arsyetimi i lexuar nga profesorët ndoshta është i ekzagjeruar sepse ju e dini se kur i lexoni emrat e njerëzve tjerë ju thoni me vete, pse unë? Por, në të vërtetë unë kam bërë të pamundurën që të promovoj demokracinë, sidomos të drejtat e njeriut për minoritetet dhe gjithashtu shtetin e së drejtës si ambasador i OSBE-së- unë gjithmonë prapa skenës, jo gjithmonë me sukses, edhe këtu si ambasador i Holandës me të ardhur kam vepruar në mënyrë të njëjtë. Gjithashtu ligjvënësve ua kam bërë me dije detyrat e tyre duke ua treguar rrugën e tyre euroatlantike”, tha Bosch.
Ambasadori Bosch duke u nisur nga eksperienca e tij në Shqipëri e Kosovë, tha se tekstet shkollore, jo vetëm ato të historisë, por të të gjitha shkencave shoqërore në Kosovë e Shqipëri duhet të avancohen sipas modelit europiano-perëndimor.
Ambasadori Bosch, në fjalën e tij falënderoi në mënyrë të veçantë falënderoi Presidentin Moisiu dhe ministrin Arben Malaj që kanë marrë mundimin të vijnë nga Tirana vetëm për këtë ceremoni.
Ambasadori Bosch në fund të fjalimit tha se ky çmim është çmim për të gjithë kolegët e tij të cilët kanë dhënë më të mirën për të punuar për vendet e tyre, duke dëshiruar një të ardhme më të mirë e të ndritshme për Kosovën.