Me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, prorektori për Marrëdhënie me Jashtë në AAB, prof. Xhavit Rexhaj, dhe koordinatorja nga Kolegji Ndërkombëtar për Biznes në Mitrovicë, Alfia Urazaeva nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional.
Marrëveshja parasheh bashkëpunim ndërinstitucional në të gjitha nivelet e studimit, si dhe shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, projekte të përbashkëta zhvillimore dhe hulumtuese, seminare dhe takime të tjera për çështje akademike e shkencore, përdorimin e bibliotekave përkatëse për nevoja të studimeve dhe hulumtimeve shkencore, si dhe takime tjera akademike për çështje të rëndësishme për të dy institucionet dhe të dyja vendet.
z. Alfia Urazaeva është shprehur e kënaqur me arritjen e marrëveshjes, duke pasur parasysh të arriturat e AAB-së, me theks të veçantë në programet e studimit, teknologjinë dhe me infrastrukturën moderne, stafin akademik dhe me arritjet e studentëve të diplomuar.
Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e AAB-së dhe implementimi i saj do të nisë nga ky vit akademik.