Me rastin e themelimit të Qendrës Gjermane të Kompetencës (QGjK) në Kolegjin AAB, sot një delegacion nga Oda Zejtare e Dortmundit të Republikës së Gjermanisë, i prirë nga presidenti Berthold Schröder, zëvendëspresidentja Kerstin Feix, zëvendësdrejtori gjeneral,Wilhelm Hicking, koordinatori i Projekteve të Arsimit Profesional për Kosovë, Franc Musolli, dhe koordinatori i Projekteve Federale të OZD-se, Tobias Schmidt,vizituan Kolegjin AAB dhe në një ceremoni solemne nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, ndërmjet Kolegjit AAB dhe Odës Zejtare të Dortmundit të Republikës së Gjermanisë.
Qëllim i kësaj marrëveshjeje është rritja dhe punësimi i të rinjve dhe të rriturve në Kosovë përmes programeve të cilësisë së lartë të aftësimit dhe arsimit dual profesional me standardet më të larta, siç janë përcaktuar nga autoritetet e Kosovës.
Kjo marrëveshje përcakton sferën e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, duke iu dhënë mundësi të rinjve dhe të rriturve që të marrin një profesion dhe mjeshtri, si një mundësi e punësimit më të lehtë dhe sipas standardeve më të larta evropiane.
Presidenti i OZD-së, Berthold Schröder, ka thënë se në një të ardhme të afërt, do të dakordohemi për zbatueshmërinë e hollësishme të bashkëpunimit në fushat e identifikuara bashkërisht.
Llojet e kurseve të cilat do të organizohen në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë:rrobaqepësi, kozmetikë, prodhues të reklamave me shenja dhe ndriçim, etj..
Mysafirët ishin shumë të kënaqur me të arriturat dhe kushtet që ofrohen në AAB, sidomos me programet e studimit, teknologjinë moderne, infrastrukturën, personelin akademik,arritjet e studentëve,punëtorinë e rrobaqepësisë, e sidomos me Qendrën Gjermane të Kompetencës (QGjK).
Etiketa: BASHKËPUNIM