Kolegji AAB nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Institucionin Financiar BICredit

7 Prill 2018

Kolegji AAB dhe BICredit kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi përmes së cilës të dy palët pajtohen që të asistojnë, promovojnë, përkrahin dhe të ngrisin nivelin e bashkëpunimit reciprok, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm edukativ, social dhe ekonomik.

Falë kësaj marrëveshjeje, studentët e Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB do të kenë mundësi të kryejnë praktikën pranë kësaj banke. Zyrtarët e kësaj banke u shprehën të gatshëm t’i inkuadrojnë studentët në aktivitete të ndryshme që i organizon ose është pjesëmarrëse BiCredit.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e bëri drejtori i degës  së Kolegjit AAB në Ferizaj, Medain Hashani, si dhe drejtori i BICredit, Astrit Dobraj.

Me këtë rast, prof.Hashani tha se krahas angazhimit të studentëve, BICredit do të përfitojë edhe nga ekspertiza dhe përvoja e stafit akademik të AAB-së, ndërsa z.Dobraj theksoi se studentët të cilët do të tregohen të suksesshëm gjatë punës praktike, do të kenë mundësi të inkuadrohen edhe në marrëdhënie pune në këtë institucion.

Në bazë të marrëveshjes, punën praktike prej 1 deri në 3 muaj do të mund ta kryejnë studentët e vitit të tretë të Fakultetit Ekonomik, të Kolegjit AAB.

Share: