Me një ceremoni solemne ku morën pjesë mijëra studentë të rinj, prindër, e mësimdhënës, Kolegji AAB e nisi sot vitin e ri akademik 2019/20.
Në kohën kur Kolegji AAB, institucioni më i madh jopublik në rajon, po shkon drejt rrumbullakësimit të dekadës së dytë të funksionimit, kërkesa e studentëve të rinj për t’ u bërë pjesë e tij i jep vulën edhe njëherë, përkushtimit, misionit e vizionit për të qenë lider në arsimin e lartë.
Në fjalën e tij tradicionale të fillimit të vitit të ri akademik, Rektori Lulzim Tafa duke iu dëshiruar mirëseardhje studentëve të rinj, iu drejtua me këto fjalë: “Ju sot po e filloni etapën më të rëndësishme të jetës suaj, po filloni jetën studentore dhe këtë po e bëni me ne. Dua t’ ju falënderoj që karrierën tuaj akademike e profesionale ia keni besuar AAB-së. Unë ju siguroj se ju keni bërë zgjedhjen më të mirë”.
Më tej rektori Lulzim Tafa, rikujtoi edhe njëherë rrugëtimin e AAB-së në këto vite, duke theksuar sukseset dhe rangimet e tij në ranglistat botërore dhe i porositi studentët e rinj se ky rrugëtim kërkon punë e angazhim të pa ndalur: “Është një gjë që ju duhet ta dini, se rruga e suksesit nuk është e lehtë. Duhet shumë punë, mund dhe sakrificë! Ne e kemi të qartë se cila është detyra jonë si akademi – të përgatisim kuadro për tregun e punës, jo vetëm për Kosovë por edhe për BE e më larg, e këtë po e bën AAB”, tha Tafa.
Në ceremoninë e sotme të fillimit të vitit akademik, studentëve të rinj iu drejtua edhe zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, i cili jashtë politikës në këtë ditë solemne uroi studentët e rinj për përzgjedhjen e tyre që kanë bërë:
“Kudo që udhëtoj dhe në çdo takim që kam, unë përmend gjërat me të cilat krenohem për vendin tim. E njëra nga ato gjëra, është Kolegji AAB”, tha Pacolli duke u dhënë mesazhe motivuese studentëve të rinj: “Mos u ndalni së punuari, çdo ditë e juaja duhet të jetë ndryshe. Punoni sepse ju sot e keni në duart tuaja timonin e ardhmërisë së Kosovës”, theksoi ai.
Përgëzime dhe urata për fillimin e studimeve, studentëve të rinj u dëshiruan edhe dekanët e Fakulteteve të Infermierisë e të Stomatologjisë si dhe kryetarja e Unionit të Studentëve të Kosovës, të cilët ritheksuan se secili nga ata që ka vendosur të bëhet pjesë e AAB-së, ka bërë zgjedhjen më të mirë. Rrugëtimi në studime nuk do të jetë i lehtë, por së bashku do të arrijmë majat u theksua edhe në këto fjalime.
Ceremoni të pritjes së studentëve të rinj, sot u organizuan edhe në dy degët e Kolegjit AAB në Gjakovë e Ferizaj, ndërsa java e parë e tetorit do të jetë javë orientuese për studentët e rinj.
Ligjëratat e rregullta për të gjithë studentët do të fillojnë nga data 07 tetor 2019.