Kolegji AAB organizon Konferencën Rajonale “Hapësira mësimore në arsim”

17 Tetor 2022

Më 21 tetor në Kolegjin AAB do organizohet Konferenca Rajonale “Hapësira mësimore në arsim”, ku në spikamë është prezentimi i rezultateve të kërkimeve shkencore në fushën e dizajnimit të hapësirave mësimore, nga akademikët, studiuesit apo studentët.
Koordinatori i konferencës, prof. Xhavit Rexhaj nga Kolegji AAB, ka treguar detajet në lidhje me organizimin e kësaj konference që është e para në vendin tonë që trajton një tematikë të këtillë.
‘’Konferenca ka karakter rajonal, dhe kontribuon në përcaktimin e parimeve dhe udhëzimeve se si të dizajnohen, si të projektohen hapësirat mësimore në arsimin e lartë në tërë Evropën”, ka bërë të ditur Rexhaj, duke shtuar se në konferencën që do të zhvillohet në Kolegjin AAB do të diskutohet gjendja me hapësirat mësimore në përgjithësi, si dhe të shkëmbehen mendime të ndryshme nga palë të ndryshme.
Prof. Rexhaj theksoi se pjesëmarrës në konferencë do të jenë dhjetëra persona nga shtetet evropiane, si Spanja, Anglia, Polonia, Italia, Austria, Gjermania, Portugalia, dhe të ftuarit e tjerë nga rajoni. Në mesin e folësve kryesorë të kësaj konference do të jenë emra të njohur të shkencës si, Pablo Campos Salvo-Sotelo nga Universiteti Politeknik i Madridit, Spanjë; Prof.dr. Theodore Leiber nga EA Baden-Wurttemberg, Gjermani; Dr. James Williams nga Birmingham City University, Britani e Madhe; dhe Prof.dr. Bardhyl Musai nga Universiteti i Tiranës, Shqipëri.
Synimet e kësaj konference rajonale janë hartimi i parimeve të dizajnimit të hapësirave të arsimit, e cila ka munguar deri tani, ndërsa krahas konferencës do të mbahet edhe një simpozium ku specifikisht do të trajtohen hapësirat mësimore në arsimin e lartë.
Konferenca Rajonale që do mbahet në Kolegjin AAB, organizohet me përkrahje profesionale nga partnerët implementues të projektit “Hapësirat Mësimore në Arsimin e Lartë”, i financuar nga fondet e programit Erasmus Plus të Komisionit Evropian.

Share: