Kolegji AAB përuron Laboratorin Digjital për Shkenca Humane dhe Media Arsimore në kuadër të projektit Homodigitalis

5 Korrik 2024

Falë mbështetjes financiare nga programi Erasmus+, në kuadër të projektit Homodigitalis ku Kolegji AAB ishte partner, është hapur sot Laboratori Digjital për Shkencave Humane dhe Media Arsimore.

Në ceremoninë e hapjes koordinatorja e projektit Arbërore Bicaj, falënderoi të pranishmit ndërsa vlerësoi punën e bërë nga të gjithë të angazhuarit. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë që Zyra e Erasmus+ në Kosovë i kushton projekteve të tilla që zhvillohen nga institucionet e arsimit të lartë.

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri tha se: “Ky projekt ka një rëndësi të veçantë për institucionin tonë, veçanërisht për fakultetet si Shkenca Sociale, Arte dhe Shkenca Kompjuterike sepse laboratori digjital, si një strukturë moderne do të shërbej si urëlidhëse në mes të kreativitetit dhe inovacionit, dhe do t’i fuqizojë studentët që të jenë të përgatitur për sfidat e së nesërmes’’.

Mimika Dobroshi, koordinatore në Zyrën e Erasmus+ në Kosovë foli për programin e Erasmus+ në përgjithësi dhe ndihmat e shumta që ofron për institucionet arsimore. Ajo uroi Kolegjin AAB për përurimin e laboratorit, duke thënë se ky është një ndër 13 projektet që trajton fushën e digjitalizimit, si prioritet i Erasmus+.

Drejtoresha e Zyrës së Projekteve në Kolegjin AAB Ilirjana Geci, falënderoi bashkëpunëtorët në këtë projekt, për rezultatet e arritura që vinë si rrjedhojë e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me universitetet vendore dhe ndërkombëtare.

“Mbështetja e Zyrës së Erasmus+ në Kosovë është qasja në burimet që na bëjnë të mundur synimet tona. Përmes këtij projekti ne jemi duke e përjetuar transformimin dhe duke e bërë inovacionin pjesë të jetës tonë. Gjithashtu në ambientin tonë po krijohet një atmosferë edhe më dinamike”, tha Geci ndër të tjera.

Në një lidhje virtuale koordinatori i projektit njëherazi dekan në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Komunikimit Linguistik në LOGOS University College, Konstantinos Giakoumis, foli për rëndësinë që përmban hapja e laboratorit dhe ndihmën që ofron për studentët. Ai tha se shpreson që ky laborator të përdoret në kapacitetin e tij maksimal dhe të sjell rezultatet e duhura.

Laboratori Digjital për Shkenca Humane dhe Media Arsimore, do jetë në shërbim të Fakultetit të Shkencave Sociale, Fakultetit të Arteve dhe Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.

Share: